‘Nova’: Përveç Radoiçiqit, Interpoli ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 11 sulmuesve të Banjskës
Organizata ndërkombëtare e policisë, e njohur si Interpol, ka lëshuar urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator.
Por, mediumi serb “Nova.rs” ka thënë se ka konfirmuar që Interpoli ka lëshuar urdhërarrest edhe për 11 persona të tjerë, të përfshirë në sulmin terrorist në Kosovë.
Lëshimin e urdhërarrestit për Radoiçiq e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Ai ka thënë se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.
Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.