Novi Pazari dhe Sanxhaku
(Fletë ditari nga Musa Gashi)
Novi Pazari nuk ishte një vend i panjohur tashmë për ne, ngase aty ishim edhe më përpara, në vitin 2014, atëherë kur ishim duke gërmuar në varrezën masive në Rudnicë dhe ishim akomoduar në këtë qytet.
Duke parë qytetin dhe njerëzit aty, sikur jam sfiduar të mësoj më shumë për këtë vend.
Novi Pazari në serbisht, Yeni Pazari në turqisht apo Pazari i Ri në shqip, për shumë arsye është i ngjashëm me qytetet e Kosovës. Dallon për nga gjuha që flasin njerëzit aty, që vetën e quajnë boshnjak ndërsa gjuhën që flasin, boshnjake.
Por nga ajo që munda të lexoja, kështu nuk ishte në të kalurën jo fort të largët, në vitet ’70-ta apo ’80-ta të shekullit të kaluar, atëherë kur njerëzit aty visheshin njëjtë sikur ne në Kosovë, me tirqi, shall e plis të bardhë, dhe flisnin shqip.
Nëse ju rastis të ecni rrugëve të Novi Pazarit do të shihni shumë mbiemra të tillë si Ŝkrijelj (Shkreli), Arnautoviq (Arnauti), Kastratoviq (Kastrati), Gashiq (Gashi), Lajiq (Lajqi) etj, dhe nëpër vitrinat e dyqaneve atje, do të vëreni piktura që paraqesin njerëz të veshur me tirqi, shalla e plis të bardhë. Kjo është njëra nga dëshmitë e shumta se këtu popullsia dikur në shumicë ishin shqiptarë, të cilët iu nënshtruan një asimilimi të tmerrshëm, e që vazhdon ende, ose largimit masiv për në Turqi.
Novi Pazari është qendra e Sanxhakut, territor ky i cili ka më shumë një kuptim gjeografik dhe si njësi administrative e territoriale, dhe ka shtrirje në Serbi e Mal të Zi, me një sipërfaqe rreth 8500 km katrorë dhe rreth 500 mijë banorë, ku pjesa dërmuese janë të regjistruar si boshnjakë, ndërsa pjesa tjetër si serbë e malazezë dhe vetëm pak nga ata si shqiptarë.
Në të kaluarën Serbia e Mali i Zi nuk kufizoheshin me njëra tjetrën, ngase në mes të këtyre dy vendeve shtrihej Sanxhaku i cili i ndante, dhe i cili herë ishte nën sundimin Otoman e herë Austro Hungarez.
Novi Pazari është i vendosur ne kryqëzimin e tre lumenjëve; Joshanica, Rashka, dhe Dezheva, që më tutje vazhdonte si Rashka, i cili derdhet në rrjedhën e Ibrit, dhe ky vend në të kaluarën ishte pikë kaluese e rëndësishme e rrugës së vjetër tregtare që lidhte Bosnjën me Perandorinë Osmane.
Nëse lexojmë pak më shumë nga historia mësojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, në këtë territor u zhvilluan shumë beteja në mes të çetnikëve serbë dhe shqiptarëve e boshnjakëve të kësaj ane, si beteja e Kollashinit, Novi Pazarit etj. Ndërsa Masakra e Bihorit në Sanxhak, e cila ndodhi ne kohen e Bozhiçeve, në natën mes 5 e 6 janarit të vitit 1943, mbetet si njëra nga masakrat më të mëdha në Ballkan gjatë kësaj kohe.
Çetniket serbo malazez të mbështetur ne logjistikën fashiste të asaj kohe, plaçkiten dhe kallën me zjarr 82 fshatra shqiptare e boshnjake, therën, pushkatuan dhe kallën në shtëpitë e tyre rreth 4600 shqiptarë e boshnjakë dhe morën me vete 251 vajza e nuse të reja dhe i masakruan. Numri i të masakruarve kalonte shifrën 6000. Në atë moment të rëndë për popullatën e asaj ane, u organizuan dhe u shkuan ne ndihme vëllezërve te tyre shqiptarët e Kosoves, ne krye me Shaban Polluzhen, Bislim Bajgorën, Pajazit Boletinin, Mulla Ilaz Brojën, Mulla Zekë Bërdynën etj, dhe sot aty këta janë heronjtë e tyre.
Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes se sistemit komunist Jugosllav, popullata e atyshme iu nënshtrua një shtypjeje te madhe dhe banoret u detyruan te shënohen si mysliman, e qe me këtë pretendohej se ata ishin sllave te konvertuar ne mysliman. Kështu atje gjuha shqipe ngadalë humbi, dhe gjuha serbe filloi te mbizotëroi aty.
Me vone ne vitet ’90-ta popullata e atyshme u deklaruan boshnjakë e jo mysliman.
Sot, Novi Pazari, dhe Sanxhaku në tërësi, rrugëton i gjendur ne mes te Kosoves, Bosnjës e Serbisë, dhe ndikimi i Prishtinës, Sarajevës e Beogradit është i dukshëm në këtë vend. Përderisa Partia për Veprim Demokratik (SDA) te cilën rezulton se e votojnë me shume njerëzit me mbiemra shqiptarë, e udhëhequr nga Stomatologu Dr. Sulejman Uglanin, një lider karizmatik, shpreh një afërsi të madhe me Prishtinën, në anën tjetër ish myftiu i Bashkësisë Islame të Sanxhakut, Muamer Zukorliq (tani i ndjerë), një figure e rëndësishme politike dhe religjioze, nga Partia për Pajtim dhe Drejtësi (SPP) kanë një orientim te dukshëm nga Sarajeva, ndërsa politikani tjetër nga Sanxhaku, Rasim Lajiç (apo Lajçi), lider i Partisë Social Demokrate (SDP), i cili njihet edhe si ministër ‘i përhershëm’ në Qeverinë e Serbisë, ka qëndrim më lojal ndaj Beogradit. Derisa dy partitë e para mëtojnë pavarësinë e Sanxhakut nga Serbia, ose se paku një autonomi të zgjeruar, partia e tretë ka qëndrim tjetër.
Derisa, ecën nëpër shëtitoren e Novi Pazarit, nuk ka sesi të mos vëresh se sa të çorientuar duken ata njerëz atje, duket sikur ata nuk e dijnë nga vijnë dhe nuk e dijnë ku shkojnë, në sytë e tyre sikur duket frika, e ngulitur thellë nga shtypja e rende dhe asimilimi, dhe kjo reflektohet dukshëm ne fytyrat e tyre. Kjo ma kujton kohën ne vitet ’80 e ’90 në Kosovë, atëherë kur shqiptarët i ishin nënshtruar dhunës kolektive si etnitet, për të shtypur kërkesat në rritje të tyre për më shumë të drejta dhe autonomi.