Nowitzki vendos rekord në historinë e NBA-së
Basketbollisti gjerman Dirk Nowitzki ka rinovuar edhe për një sezon kontratën me skuadrën e Dallas Mavericks, me të cilën do të luajë edhe në moshën 40-vjeçare.
Ky do të jetë sezoni i 21-të radhazi që shtatlarti gjerman do të luajë për Dallasin në NBA, duke vendosur një rekord, pasi asnjë lojtar më parë nuk ka luajtur më shumë se 20 sezone për të njëjtin ekip.
Nowitzki i ka premtuar kështu besnikëri skuadrës teksane, ndërkohë që falë kontratës së re ai do të përfitojë 5 milionë dollarë sezonin e ardhshëm. Nowitzki ka zbarkuar te Dallasi në vitin 1998, duke u zgjedhur i 9-ti në draft nga skuadra e Milwaukee, por më pas u transferua tek ekipi teksan, ku arriti të tregojë vlerat e tij, duke mbajtur të veshur fanellën me numrin 41. Për të luajtur gjithnjë me skuadrën e Mavericks, basketbollisti gjerman shpesh ka hequr dorë nga oferta apo kontrata të majme, duke fituar respektin e fansave.
Në vitin 2011, ai fitoi titullin kampion me Dallas dhe trofeun MVP të finaleve pas triumfit ndaj Miami Heat. Aktualisht ai renditet në vendin e gjashtë të shënuesve më të mirë të NBA-së, me 31.187 pikë. Nowitzki është zgjedhur 13 herë në “All Star Game” dhe në 12 raste ka qenë titullar, një nga basketbollistët legjendarë të NBA-së, duke shkruar historinë e këtij sporti. (Telesport)