Nreca, afër transferimit në Kroaci
Futbollisti i Gjakovës, Nue Nreca, mund të transferohet gjatë këtij afati kalimtar në futbollin kroat. Ai është i bindur se një gjë e tillë mund të ndodhë shumë shpejt, por nuk ka zbuluar se për cilën skuadër bëhet fjalë.
Futbollistët e Kosovës çdo ditë e më shumë po shpërthejnë duke u transferuar në ligat më të forta evropiane. Talenti i fundit që u afirmua në futbollin e Kosovës dhe më pas kaloi në futbollin kroat ishte sulmuesi Festim Alidema. Rrugën e Alidemës dhe të tjerave që luajnë në Kroaci shumë shpejt pritet ta njekë edhe talenti Nue Nreca, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës Gjakova. Talenti Nreca ka filluar të luajë futboll në moshën tetëvjeçare, kurse aktualisht është 18-vjeçar. “Momentalisht jam pjesë e klubit Gjakova, por duke u përcjell nga disa klube kroate. Kam qenë në Lokomotivën e Zagrebit dhe kalova me sukses. Po ashtu, kam qenë në prova edhe në Dinamo Zagreb për tre muaj dhe pres të shkoj sërish”, ka thënë Nreca për “Epokën e re”.
Futbollisti i skuadrës nga qyteti i Gjakovës ka thënë se synimi i tij është transferimi në Kroaci e më pas të kalojë edhe në ligat më të forta evropiane. “Po pres ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Synimi im është që fillimisht të transferohem në Kroaci e më pas t’i preku edhe majat e futbollit evropian”, ka deklaruar Nreca, i cili ka hezituar ta tregojë emrin e skuadrës së mundshme ku do ta vazhdojë karrierën futbollistike.
/Veton ZYMBERI/