Nuhiu, afër marrëveshjes me Shkëndijën e Tetovës
Shkëndija e Tetovës e mbylli këtë sezon pas asnjë trofe. Në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, e dominuar tashmë prej skuadrave shqiptare (Struga u shpall kampione për herë të parë në histori), kuqezinjtë u renditën të tretët, duke fituar gjithsesi të drejtën për të luajtur në Kupat e Evropës.
Stafi drejtues nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura kështu që ka projektuar ndryshime të rëndësishme, duke nisur me stafin teknik.
Me largimin e trajnerit Qatip Osmani, detyra e parë e drejtuesve është emërimi i teknikut të ri. Mësohet se këtë rol do ta marrë një emër i njohur për kuqezinjtë: Ardian Nuhiu.
Ish-mesfushori i lindur në Shkup, i cili ka qenë pjesë e Shkëndijës në vitin 2013, do të emërohet shumë shpejt trajner i skuadrës kuqezi.
Nuhiu nuk ka një karrierë të gjatë si trajner. Ai ka drejtuar Shkupin në sezonet 2016-2018, si dhe Dritën e Gjilanit për më shumë se tre vite, duke fituar edhe titullin kampion në Superligën e Kosovës në sezonin 2019-2020.