Nuhiu emërohet ndihmëstrajner në Përfaqësuesen A
27 janar 2025
| 13:39
Në vazhdën e angazhimit të ish-futbollistëve të Përfaqësueses në role të ndryshme në Federatën e Futbollit të Kosovës, ish-sulmuesi “dardan” i njohur Atdhe Nuhiu është emëruar ndihmëstrajner i Përfaqësueses A.
“Ky vendim i presidentit Agim Ademi vjen si pjesë e strategjisë së FFK-së për të përfshirë ish-lojtarët e Kombëtares në strukturat e ekipeve kombëtare dhe për ta përcjellë eksperiencën e tyre tek gjeneratat e reja”, thuhet në njoftim e FFK-së.
Atdhe Nuhiu, me karrierë të suksesshme si futbollist, tashmë ka fituar përvojë edhe si trajner në skuadrën austriake SC Rheindorf Altach. Emërimi i tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e tij dhe për sukseset e Përfaqësueses A.
Gjatë javës së kaluar, në pozitat e ndihmëstrajnerëve të Përfaqësueses U21 dhe U19 u emëruan Hekuran Kryeziu dhe Anel Rashkaj, derisa Samir Ujkani prej më shumë se një viti ushtron pozitën e zëvendësdrejtorit të Përfaqësueses A.