Nuhiu: Fitore e rëndësishme ndaj një ekipi cilësor
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, është ndarë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij në udhëtim kundër Malishevës. Drita triumfoi me shifrat 2-1 dhe kështu mbajti hapin me kreun e tabelës.
Për Dritën, kjo ishte fitorja e dytë në pranverë në tri ndeshje të zhvilluara, ku e ka edhe një barazim.
Është ngritur në pozitën e dytë në tabelë me 41 pikë, dy më shumë se Gjilani që është i treti, por ka një ndeshje më pak të luajtur.
“Jam shumë i kënaqur me lojën që e treguam në këtë takim. I përgëzoj lojtarët për durimin që e patën por edhe falënderojë tifozët që na përkrahën në këtë ndeshje. Është një fitore e rëndësishme ndaj një ekipi cilësor si Malisheva”, ka thënë Nuhiu.
Ndeshjen e radhës, Drita e luan të shtunën në shtëpi kundër Ballkanit që është lider me 42 pikë pas 21 ndeshjeve të luajtura.