Nuhiu: Futbollistët tanë kanë motiv të veçantë ndaj Antwerpit
Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur në konferencë për media në prag të ndeshjes kundër Royal Antwerp në ndeshjen e kthimit në rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Drita dhe Royal Antwerp do të ballafaqohen të enjten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri shkupjan ka thënë se futbollistët e tij kanë një motiv të veçantë për ndeshjen e kthimit, ndërsa shtoi se ata kanë analizuar kundërshtarin në dy ndeshjet e fundit, përfshirë takimin e parë në Belgjikë.
“Skuadra jonë është mirë. Futbollistët janë të fokusuar në ndeshje. Shoh një motiv të veçantë për ndeshjen e nesërme. Na pret një sfidë e madhe, realisht një mundësi shumë e mirë për futbollistët tanë të tregojnë vlerat. Kemi analizuar kundërshtarin. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e ndeshjes. Kemi analizuar dy ndeshjet, ndaj nesh edhe atë në kampionat të Antwerp”, tha Nuhiu në konferencë për shtyp.
Nuhiu vlerësoi lart kundërshtarin belg, derisa shtoi se ka besim në futbollistët e tij.
“Bëhet fjalë për një skuadër agresive, skuadër që bën presion të lartë, me individë shumë cilësor. Për të gjitha këto kemi pasur javën e kompletuar të përgatitemi. Unë kam besim të plotë te skuadra jonë që do të përformohet mjaft mirë atë që kemi përgatitur”, shtoi trajneri Ardian Nuhiu.
Në konferencë për media ishte i pranishëm edhe futbollisti Arbnor Muja.