Nuhiu: Përgëzoj lojtarët për angazhim, jam i kënaqur me rezultatin
Falë një paraqitje të shkëlqyeshme sonte, Drita ka arritur që ta nxjerrë një barazim nga përballja me gjigantin holandez, Feyenoordin. Ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës e zhvilluar sonte në “Fadil Vokrri” u mbyll baras dhe pa gola.
Trajneri i skuadrës gjilanase, Ardian Nuhiu, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.
“E kemi analizuar shumë kundërshtarin dhe e kemi pasur parasysh se do të kemi punë me një skuadër shumë të fortë. Përgëzoj lojtarët për angazhim dhe jam i kënaqur me rezultatin. Pas këtij barazimi edhe në Holandë do të udhëtojmë për të treguar një paraqitje të mirë”, është shprehur Nuhiu.
Kujtojmë se ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 29 korrik në stadiumin “De Kuip” në Rotterdam.