Nuhiu tërhiqet nga Përfaqësuesja e Kosovës
Sulmuesi Atdhe Nuhiu edhe zyrtarisht është larguar nga Përfaqësuesja e Kosovës në futboll.
Lajmin e ka konfirmuar vet sulmuesi shtatlartë nëpërmjet një postimi në profilin e vet në “Instagram”.
“Sot kam marrë vendimin më të vështirë në karrierën time si profesionist në futboll. Kam vendosur të ndaj me ju lajmin e tërheqjes sime nga Kombëtarja e Republikës së Kosovës, një ekipi me të cilin kam kujtime të jashtëzakonshme dhe momente të paharrueshme, gjatë rrugëtimit 4-vjeçar”, ka shkruar Nuhiu, raporton “Epoka e re”.
Postimi i plotë i Nuhiut:
Të dashur adhurues të Kombëtares së Kosovës, të dashur bashkëkombës të mi; Po u drejtohem sot, për t’ju njoftuar se sot kam marrë vendimin më të vështirë në karrierën time si profesionist në futboll. Kam vendosur të ndaj me ju lajmin e tërheqjes sime nga Kombëtarja e Republikës së Kosovës, një ekipi me të cilin kam kujtime të jashtëzakonshme dhe momente të paharrueshme, gjatë rrugëtimit 4-vjeçar. Më kujtohet takimi i parë me udhëheqësit e Kombëtares së Kosovës kur pranova me krenari të luaj për këtë kombëtare. Gjithmonë do të jem falënderues për kryesinë e Kombëtares, të gjithë bashkëlojtarët e mi, kryetarin Agim Ademin, nga i cili kishim mbështetjen maksimale edhe në kushtet më të vështira, ish-trajnerin Albert Bunjaku me të cilin bashkëpunova nga dita e parë në kombëtare dhe qëllimin e vetëm e kishim të punojmë në mënyrë sa më profesionale e të ndërtojmë një ekip apo një kombëtare që e ëndërruan shumë gjenerata para nesh. Sot Kombëtarja e Kosovës ka një super ekip dhe shpresë për lavdi e suksese në arenë ndërkombëtare, madje duke dëshmuar se mund të konkurrojmë me kombëtare si Anglia, Spanja etj. Dua të falënderoj, të gjithë fansat e kombëtares, të cilët kurrë nuk na lanë vet, në çdo ndeshje, në çdo udhëtim dhe në çdo moment. Ju përqafoj të gjithëve dhe jeni në zemrën time përgjithmonë. Përjetësisht falënderues dhe me shumë dashuri.
I juaji, Atdhe Nuhiu