Nuk besoj në ditën e paqes
VAXHID SEJDIU
Nuk besoj në ditën e paqes
(21 Shtatori, Dita Ddërkombëtare e Paqes)
Unë nuk besoj
në Ditën e Paqes,
se paqe nuk ka,
kur vrasësit shëtisin
mes për mes Beogradit!
Unë nuk besoj
në Ditën e Paqes,
ku nënat presin
edhe 1653 shqiptarë
nga “varret masive”.
Unë nuk besoj
në Ditën e Paqes,
derisa Batajnica, Rashka, Bajina, Bashta…*
të dëshmojnë
për varret e tjera masive në Serbi.
Unë nuk besoj,
në paqen e përgjakur me shekuj,
dëshmitar kam Leon Trockin,
lexoni dëshminë e tij të gjallë,
për krimet serbe,
lexoni “Golgotën Shqiptare”
Unë nuk besoj në paqen
e vrarë me plumb
në Qendër të Prishtinës, Shkupit, Manastirit…
dëshmitar kam
Kryepeshkopin e Shkupit, Lazër Mjedën.
Unë nuk besoj në paqen,
në paqen e vrarë në pikë të ditës,
Unë kam dëshmitarë Prekazin, Reçakun,
Krushën e Madhe, Izbicën, Dubravën…
Pyetni pashë sytë e Diellit,
që po lind mbi Errësirën e shekujve,
të larë me Gjak.
*Varre masive serbe në të cilat u gjetën qindra e qindra kufoma të shqiptarëve
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)