Nuk bie presidentja | Gjykata Kushtetuese vendos për mandatet e dy deputetëve

20 prill 2023 | 17:20

Gjykata Kushtetuese tashmë ka marrë vendimin e shumëpritur për ankesën e bërë nga kandidatë joserbë për deputetë e ku rrezikohej edhe rënia e presidentes së vendit e kësisoji edhe e institucioneve tjera por edhe cenohej fryma kushtetuese.

Më herët kishte pasur raportime se Gjykata Kushtetuese do t’i shpallte jolegjitimë dy deputetë të komuniteteve pakicë joserbe. Kjo potencialisht parashihej të rrezikonte edhe procesin e zgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani më 4 prill 2021, që në raundin e parë i kishte pasur vetëm 81 deputetë pjesëmarrës.

Dy deputetët, njëri nga komuniteti egjiptian (Veton Berisha) e tjetri nga komuniteti rom (Albert Kinolli), kishin pretenduar se kundër-kandidatët e tyre kishin marrë më shumë vota se sa që kishte banorë të këtyre komuniteteve në rajone vendbanime respektive.

Një gjë e tillë efektivisht do të etnicizonte votimin në Kosovë, duke bërë që të ishte i cenueshëm votimi jashtë përkatësisë etnike të votuesit.

Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbron frymën kushtetuese duke lejuar votimin edhe jashtë përkatësisë etnike të qytetarëve. Një gjë e tillë efektivisht nuk do të cenojë procesin e zgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani.

“Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit: Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit.” – thuhet në vendim.

Në rastin e kundërt – siç kishin paralajmëruar edhe njohës të Kushtetutës së vendit, përfshirë Enver Hasanin – mund të rrezikohej një gjë e tillë.

“Nëse konstatohet se u është cenuar e drejta kushtetuese, për pasojë dy mandate janë të pavlefshme ose jo kushtetuese, nuk diskutohet ajo punë, domethënë (presidentja) duhet ta dorëzojë mandatin dhe të kthehet në pikën zero, nuk mund të ketë interpretim tjetër”, kishte thënë Hasani.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sot ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI 69/21, me parashtrues Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) dhe Partia Liberale Egjiptiane (PLE), të përfaqësuara nga Albert Kinolli dhe Veton Berisha, respektivisht, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA.nr.29/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues.

Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit: Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit.

Më saktësisht, Aktgjykimi sqaron që, rrethanat e rasteve konkrete ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura me 14 shkurt 2021. Dy kandidatët përfaqësues të subjekteve politike, PLE dhe PBREK, respektivisht dhe të cilët sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve parlamentare të lartcekura, nuk kishin arritur të fitojnë vende në Kuvend, pretendojnë që të drejtat e tyre zgjedhore janë cenuar si rezultat i vendimeve përkatëse të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, të cilat parashtruesit përkatës i kontestojnë para Gjykatës duke pretenduar shkelje të paragrafit 4 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit], nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Për sa i përket njërit nga kandidatët e lartcekur, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, PREBK, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Albert Kinolli, Aktgjykimi sqaron që i njëjti nuk i ka shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sepse nuk i ka apeluar vendimet e PZAP-së të 7 dhe 10 marsit 2021, në Gjykatën Supreme. Ndërsa për sa i përket parashtruesit tjetër të kërkesës, përkatësisht PLE, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Veton Berisha, Aktgjykimi sqaron që i njëjti konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme vetëm sa i përket refuzimit për anulimin/shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotime të saktësuara në komunat e Kamenicës, Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut. Megjithatë, Vendimin plotësues të PZAP-së të 10 marsit 2021, që kishte vendosur përkitazi me Mitrovicën e Veriut, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte apeluar në Gjykatën Supreme, duke dështuar për pasojë t’i shterojë mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Rrjedhimisht, sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, vlerësimit meritor të Gjykatës i nënshtrohet Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme vetëm përkitazi me refuzimin e anulimit/shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotimet e saktësuara në komunat e Kamenicës dhe Graçanicës, respektivisht.

Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi rikujton që si rezultat i dështimit të arritjes së votave të mjaftueshme për të fituar një vend në Kuvend, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar ankesat/apelet përkatëse në PZAP dhe më pas në Gjykatë Supreme, duke pretenduar që votat e fituara nga Romani Iniciativa ishin “orkestruar dhe koordinuar” me “subjektin politik Lista Serbe” dhe se për pasojë, të gjitha votat që ky subjekt politik i ka fituar dhe që tejkalojnë numrin e votuesve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në vendvotimet përkatëse, duhet të shpallen të pavlefshme dhe të largohen nga rezultati zgjedhor.

PZAP dhe Gjykata Supreme kishin bazuar vendimmarrjen e tyre bazuar në këto pretendime dhe duke u referuar në paragrafin 4 të nenit 58 të Kushtetutës dhe paragrafin 2 të nenit 64 të Kushtetutës, por duke e anashkaluar nenin 45 të Kushtetutës, kishin anuluar/shpallur të pavlefshme fletëvotimet në vendvotime në komunat e Leposaviqit, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit dhe Kllokotit, në esencë, duke përcaktuar standardin që të ushtruarit e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në rendin juridik të Republikës së Kosovës, është e kushtëzuar me përkatësinë etnike të votuesit dhe të të votuarit. Më saktësisht, sipas PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, (i) lidhur me njëzet (20) vendet e garantuara në Kuvend, në kontekst të të drejtave pasive zgjedhore, partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet përkatëse që nuk janë shumicë, mund të votohen vetëm nga votuesit e të njëjtit komunitet; dhe për pasojë, në kontekst të të drejtave aktive zgjedhore, votuesit mund të votojnë vetëm partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që deklarohen se përfaqësojnë komunitetin e tyre; dhe (ii) votat e fituara për partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë një komunitet që nuk është shumicë dhe që tejkalojnë numrin e votuesve që supozohet që i takojnë të njëjtit komunitet në një vendvotim të caktuar, shpallen të pavlefshme, sepse në të kundërtën “nuk ekziston lidhje objektive në mes të votuesve dhe subjektit të votuar”. PZAP dhe Gjykata Supreme, kalkulimin e proporcionit në mes të numrit të fletëvotimeve dhe votuesve që supozohet të përfaqësojnë një komunitet që nuk është shumicë, e kishin bazuar në të “dhëna të marra nga Enti i Statistikave të Republikës së Kosovës të vitit 2011, por edhe raporteve kredibile të OSBE-së dhe Librat e Votuesve.”

Parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës, në esencë, pretendon që (i) fletëvotimet në vendvotimet përkatëse do të duhej të anulohen/shpallen të pavlefshme në proporcion me numrin e votuesve që përfaqësojnë komunitetin përkatës sepse në të kundërtën, përfaqësuesit të zgjedhur në Kuvend i “mungon lidhja objektive me komunitetin” që i njëjti deklaron që përfaqëson; dhe (ii) vendet e garantuara në Kuvend sipas paragrafit 2 të nenit 64 të Kushtetutës, mund të fitohen vetëm nëse votohen nga i njëjti komunitet të cilin partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që garojnë për këto vende, deklarojnë që e përfaqësojnë. Thënë këtë, parashtruesi i kërkesës, vet thekson që në Republikën e Kosovës mungon baza “precize ligjore”, duke theksuar gjithashtu që “nuk ka praktika dhe norma precize ndërkombëtare” dhe të cilat në mënyrë shprehimore përcaktojnë që ulëset e garantuara për komunitetet që nuk janë shumicë mund të fitohen vetëm nëse votohen nga po i njëjti komunitet të cilin ata deklarohen që e përfaqësojnë. Në mungesë të kësaj baze kushtetuese dhe ligjore, parashtruesi i kërkesës pretendon që bazuar në paragrafin 4 të nenit 58 të Kushtetutës, Gjykata duhet të detyrojë Kuvendin që të ndërmerr masa adekuate përmes nxjerrjes së ligjeve, përmes të cilave, do të sigurohej pjesëmarrja efektive e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, ashtu që dhe ndër tjerash, vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës do të fitoheshin vetëm nëse votohen nga anëtarët e të njëjtit komunitet të cilin ata deklarohen që e përfaqësojnë dhe më saktësisht që, “komunitetet do të regjistroheshin në lista zgjedhore të veçanta ashtu që vetëm votuesit e komuniteteve që gjenden në ato lista të mund të votojnë për përfaqësuesit që janë deklaruar se do t’i përfaqësojnë ato komunitete në ulëse të garantuara”.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, Gjykata, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, ka shtjelluar (i) parimet e përgjithshme për të drejtat zgjedhore sipas Kushtetutës; (ii) parimet e përgjithshme për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë sipas Kushtetutës dhe Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; si dhe (iii) parimet e përgjithshme sipas Kodit të Praktikës së Mirë për Çështje Zgjedhore të Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Lundit për Pjesëmarrjen Efektive të Pakicave Kombëtare në Jetën Publike. Gjykata, gjithashtu, veçanërisht ka shtjelluar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në interpretimin e nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së në kontekst të (i) procedurave të nevojshme për anulimin e rezultateve zgjedhore, përfshirë shpalljen e pavlefshme të votave; dhe (ii) të drejtave zgjedhore dhe pakicave kombëtare. Në kontekst të kësaj të fundit, Aktgjykimi gjithashtu shtjellon opinionet dhe raportet e Këshillit të Evropës dhe Opinioneve të Komisionit të Venecias, përfshirë por duke mos u kufizuar në (i) raportin për Rregullat Zgjedhore dhe Veprimet Afirmative për Pjesëmarrjen e Pakicave Kombëtare në Procesin e Vendimmarrjes në Shtetet Evropiane; (ii) Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Zgjedhjet; dhe (iii) Përmbledhjen e Opinioneve dhe Raporteve lidhur me sistemet Zgjedhore dhe Pakicat Kombëtare.

Aktgjykimi sqaron që, çështja esenciale që ngërthen rasti konkret është nëse votat e qytetarëve të Republikës së Kosovës mund të anulohen/shpallen të pavlefshme bazuar në përkatësinë e tyre të supozuar etnike. Në këtë kontekst dhe bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Aktgjykimi thekson Gjykata është e detyruar që të drejtat dhe liritë themelore t’i interpretojë në harmoni me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe në kontekst të të drejtave zgjedhore, në harmoni me praktikën gjyqësore në interpretimin e nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Bazuar në këtë fundit, ndër tjerash dhe siç është shtjelluar në Aktgjykim, (i) nuk është roli i gjykatave të përcaktojnë vullnetin e votuesve; dhe (ii) çdo shpallje e pavlefshme e votave duhet të jetë e bazuar në bazë të qartë ligjore. Bazuar në këtë praktikë gjyqësore, Aktgjykimi më tej shtjellon nëse në Republikën e Kosovës fletëvotimet mund të shpallen të pavlefshme bazuar në përkatësinë e supozuar etnike të votuesve.

Fillimisht dhe në kontekst të vlefshmërisë dhe/ose pavlefshmërisë së fletëvotimeve, Aktgjykimi sqaron që (i) bazuar në paragrafin 1 të nenit 64 të Kushtetutës, vendet në Kuvend ndahen në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme të fituara prej subjekteve përkatëse politike; (ii) Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, përderisa nuk përcakton kriteret mbi bazën e të cilave mund të konstatohet pavlefshmëria e votave, përcakton PZAP-në si organ të pavarur e kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat/apelet e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor; (iii) PZAP ka kompetencën për të anuluar/shpallur fletëvotime të pavlefshme në rrethana të jashtëzakonshme, por gjithnjë bazuar në rregullativën e aplikueshme, përkatësisht Kushtetutën, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret përkatëse të PZAP-së dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në këtë kontekst, Aktgjykimi thekson që neni 45 i Kushtetutës është neni themelor që rregullon të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. I njëjti përcakton që (i) çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor; (ii) vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë; dhe (iii) institucionet shtetërore mbështesin mundësitë për pjesëmarrjen e çdonjërit në aktivitete publike dhe të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike.

Aktgjykimi sqaron që bazuar në nenin 45 të Kushtetutës, aspekti aktiv i të drejtave zgjedhore, përkatësisht e drejta për të zgjedhur, i nënshtrohet vetëm dy kufizimeve kushtetuese, moshës dhe vendimit përkatës gjyqësor. Të njëjtat të drejta janë të garantuara edhe përmes Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ky i fundit, në Kreun II, përcakton të Drejtën për të Votuar, Listat e Votuesve dhe Periudhat e Kundërshtimit dhe Konfirmimit për Listën e Votuesve. Për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, në nenin 5 (E drejta për të Votuar) të tij, përcakton edhe disa kufizime që ndërlidhen me të drejtën për të votuar, ndërsa në nenin 7 (Lista e Votuesve) përcakton që qytetarët me të drejtë vote janë të regjistruar në Regjistrin Qendror Civil, duke saktësuar që informatat e nevojshme për Listën e Votuesve janë “emri, mbiemri, data e lindjes, adresa dhe Qendra e Votimit ku ai/ajo është caktuar për të votuar”, të dhëna këto që shënohen në gjuhët dhe alfabetet në të cilat shënimet origjinale mbahen në pajtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë. Ligji dhe rregullativa e aplikueshme e KQZ-së, nuk përmban asnjë detyrim që votuesit të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike për qëllime të Listës së Votuesve dhe ushtrimit të të drejtave aktive zgjedhore. Një qasje e tillë, në fakt, është në përputhje të plotë me instrumentet ndërkombëtare, duke përfshirë siç është sqaruar përmes Raportit Shpjegues të Kodit të Praktikës së Mirë në Çështje Zgjedhore, dhe sipas të cilës, e ndër tjerash, as kandidatëve dhe as votuesve nuk duhet t’u kërkohet të tregojnë përkatësinë e tyre si pakicë kombëtare. Karakteristikat e votës që ndërlidhen me lirinë dhe fshehtësinë e saj janë të garantuara me të gjitha instrumentet ndërkombëtare, siç sqarohet detajisht në Aktgjykim. Për më tepër, bazuar në rregullativën e aplikueshme të PZAP-së dhe KQZ-së, shpallja e pavlefshme e fletëvotimeve përfshinë vetëm rrethanat në të cilat (i) në fletëvotim është shënuar më shumë se një subjekt politik; (ii) mënyra se si është shënuar e bën qëllimin e votuesit të paqartë; (iii) fletëvotimet nuk janë vulosur me vulë zyrtare; dhe (iv) votuesi e shënon vetëm kandidatin dhe jo subjektin politik. Rregullativa e lartcekur nuk përcakton asnjë kriter mbi bazën e të cilit mund të shpallen të pavlefshme fletëvotimet bazuar në përkatësinë etnike të votuesve.

Ndërsa, në kontekst të së drejtës për t’u zgjedhur, përkatësisht aspektit pasiv të të drejtave zgjedhore, neni 45 i Kushtetutës, me përjashtim të moshës dhe kufizimit përmes vendimit gjyqësor, nuk përcakton asnjë kufizim apo kushtëzim tjetër. Megjithatë, në kontekst të zgjedhjeve parlamentare, ky nen duhet të lexohet dhe interpretohet së bashku edhe me nenet 64 [Struktura e Kuvendit], 71 [Kualifikimet dhe Barazia Gjinore] dhe 73 [Pamundësia e Kandidimit] të Kushtetutës, respektivisht. I pari përcakton që, njëzet (20) vende në Kuvendin e Kosovës janë të garantuara për partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb ose komunitetet tjera, pa marrë parasysh numrin e vendeve të fituara, ndërsa i dyti dhe i treti, përcaktojnë kualifikimet e nevojshme për të kandiduar dhe rrethanat e pamundësisë së kandidimit për deputetë të Kuvendit. Për rrethanat e rastit konkret, relevante është ndërlidhshmëria e neneve 45 dhe 64 të Kushtetutës, respektivisht.

Më tej, Aktgjykimi sqaron që votën e fshehtë e përcakton edhe neni 64 i Kushtetutës, duke vënë theks gjithashtu në lista të hapura zgjedhore. Ky nen gjithashtu thekson që Kuvendi ka njëqind e njëzet (120) deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë, bazuar në listat e hapura, ku njëzet (20) vende janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, në mënyrën e saktësuar në paragrafin 2 të nenit 64 të Kushtetutës. Këto garanci janë të saktësuara edhe në nenin 110 (Dispozitat e përgjithshme) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, ndër tjerash, Republika e Kosovës konsiderohet një zonë zgjedhore me shumë kandidatë. Procedurat përkitazi me regjistrimin e partive politike dhe subjekteve politike, saktësohen në Kreun III (Regjistrimi i partive politike dhe certifikimi i subjekteve politike) të këtij ligji. Asnjë nga këto procedura nuk përcakton përjashtime apo procedura të veçanta në kuptim të subjekteve politike që garojnë për vende të garantuara në Kuvend. Një kriter i tillë, duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit 64 të Kushtetutës, në kontekst të regjistrimit të subjekteve të lartcekura politike është i përcaktuar në rregullat e aplikueshme të KQZ-së, dhe të cilat në kuadër të dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin përkatës, gjithashtu parashohin “deklaratën e përkatësisë etnike të themeluesit të iniciativës politike”.

Thënë këtë, garantimi i vendeve të caktuara në Kuvend për komunitetet që nuk janë shumicë, bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore siç janë sqaruar më lart, jodetyrimisht ngërthen edhe detyrimin që këto vende të mund të fitohen vetëm nëse janë votuar nga po i njëjti komunitet që nuk është shumicë, duke kushtëzuar për pasojë edhe të drejtat aktive zgjedhore në përkatësi etnike. Raportet dhe opinionet e Komisionit të Venecias, përfshirë raportet shpjeguese të instrumenteve ndërkombëtare siç janë sqaruar në Aktgjykim, sqarojnë sistemet zgjedhore në të gjitha shtetet evropiane dhe më gjerë në kontekst të akomodimit të pakicave kombëtare dhe për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, theksojnë që (i) ka sisteme zgjedhore të cilat në kontekst të të drejtave pasive zgjedhore përcaktojnë garanci dhe/ose lehtësi shtesë lidhur me pakicat kombëtare, përfshirë vende të garantuara në kuvendet përkatëse, ndërsa në kontekst të të drejtave aktive zgjedhore vënë theksin në lirinë dhe fshehtësinë e votës; dhe (ii) përjashtimisht dhe në raste të veçanta, në kontekst të të drejtave aktive zgjedhore, mundësojnë votën e dyfishtë ose lista të veçanta zgjedhore për pakicat kombëtare, mekanizma këto të përcaktuara saktësisht në Kushtetutat dhe/ose ligjet e aplikueshme. Në Republikën e Kosovës, një sistem i tillë, i cili përcakton sistem të veçantë zgjedhor për komunitetet që nuk janë shumicë në kontekst të të drejtave aktive zgjedhore, nuk është i përcaktuar me Kushtetutë dhe as në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas Kushtetutës, vota është personale, e lirë, e barabartë dhe e fshehtë, ndërsa dhe ndër tjerash, sipas Kodit të Praktikave të Mira për Çështje Zgjedhore, as kandidatët dhe as votuesit nuk janë të detyruar të zbulojnë përkatësinë e tyre si pakicë kombëtare.

Për më tepër, Aktgjykimi i referohet edhe rastit të fundit të GJEDNJ-së, përkatësisht Bakirdzi dhe E.C kundër Hungarisë, i cili ka marrë formë të prerë më 3 prill 2023. Ky rast është tejet relevant për rrethanat e rastit konkret, sepse ndër të tjera, ka të bëjë me (i) shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve; (ii) mangësitë e sistemit të votimit të pakicave kombëtare që ndikojnë në fshehtësinë e votimit; (iii) sistemet që kërkojnë që një kandidat i pakicës kombëtare të zgjedhet vetëm nga votuesit e të njëjtës pakicë; dhe (iv) sistemet që lejojnë votuesit e pakicave kombëtare të votojnë vetëm për listat e tyre përkatëse të pakicave kombëtare dhe jo për listat e përgjithshme të partive politike. Në këtë rast, dhe përkundër faktit që vet ligji hungarez përcakton ndërlidhjen në mes të të drejtave aktive dhe pasive zgjedhore me përkatësinë etnike përkatëse lidhur me vende të caktuara në kuvend, GJEDNJ, në kontekst të rrethanave të rastit përkatës, konstatoi që të drejtat zgjedhore të votuesve të pakicave kombëtare ishin cenuar në kundërshtim me garancitë e përcaktuara përmes nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke theksuar, ndër tjerash, që (i) ka dyshime se një sistem në të cilin vota mund të hidhet vetëm për një listë specifike të mbyllur të kandidatëve dhe që kërkon nga votuesit të braktisin përkatësitë e tyre partiake në mënyrë që të kenë përfaqësim si anëtar të një pakice kombëtare, siguron “shprehje të lirë të mendimit të popullit në zgjedhjen e legjislativit”; dhe (ii) e drejta për fshehtësi të plotë të votës në rrethana të tilla, nuk është në dispozicion të votuesve të pakicës kombëtare.

Bazuar në sqarimet e lartcekura, Aktgjykimi thekson që (i) sipas paragrafit 2 të nenit 45 të Kushtetutës, vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë; (ii) sipas paragrafit 2 të nenit 64 të Kushtetutës, pa marrë parasysh numrin e vendeve të fituara, njëzet (20) vende në Kuvendin e Republikës së Kosovës i takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në mënyrën e saktësuar në këtë nen; (iii) Kushtetuta, instrumentet ndërkombëtare të saktësuara në nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të saj, praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, në kontekst të të drejtave aktive zgjedhore, nuk përfshijnë detyrimin që votuesit të zgjedhin vetëm partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që deklarohen që përfaqësojnë komunitetin që ata i përkasin dhe në kontekst të të drejtave pasive zgjedhore, as vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës për partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët të pavarur, nuk janë të kushtëzuara vetëm në votën e qytetarëve që u përkasin komuniteteve që ata deklarojnë që i përfaqësojnë; (iv) nëse shteti përcaktohet për një sistem të tillë, i njëjti duhet të jetë i përcaktuar përmes ligjeve të miratuara nga Kuvendi dhe në përputhje me përcaktimet dhe vlerat kushtetuese; dhe (v) sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, nuk është roli i gjykatave të përcaktojnë vullnetin e votuesve dhe çdo shpallje e pavlefshme e votave duhet të jetë e bazuar në bazë të qartë ligjore dhe në procedurë të saktë të ndjekur, siç është përcaktuar në ligjet dhe rregullativën e aplikueshme. Në kontekst të këtyre të fundit, Aktgjykimi sqaron që në kuadër të sistemit zgjedhor në Republikën e Kosovës, nuk ka asnjë bazë ligjore mbi të cilën do të mund të shpallen të pavlefshme fletëvotimet në vendvotime të caktuara, duke u bazuar mbi supozimet për përkatësinë etnike të votuesve, përfshirë proporcionin në mes të numrit të fletëvotimeve që mund të ketë fituar një parti, koalicion, nismë qytetare dhe kandidat i pavarur që deklaron që përfaqëson një komunitet që nuk është shumicë dhe numrit të kalkuluar të votuesve të të njëjtit komunitet në vendvotime të caktuara.

Rrjedhimisht, dhe në mungesë të një baze kushtetuese dhe/ose ligjore për shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotime të caktuara në komunat e Kamenicës dhe Graçanicës, respektivisht, Gjykata konstaton që refuzimi i anulimit/shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në komunat e lartcekura përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, nuk ka rezultuar në cenimin e të drejtave të parashtruesit të kërkesës për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës sipas paragrafit 1 të nenit 45 të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Në fakt, parashtruesi i kërkesës edhe vet vë theksin në faktin që nuk ka bazë kushtetuese dhe/ose ligjore në Republikën e Kosovës për të shpallur të pavlefshme fletëvotimet bazuar në përkatësinë etnike të votuesve. Për pasojë, kërkon nga Gjykata që e njëjta të detyrojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që të ndërmerr masa adekuate, përmes nxjerrjes së ligjeve që mund të përcaktojnë lista të veçanta për komunitetet që nuk janë shumicë, përmes të cilave, do të sigurohej pjesëmarrja efektive e komuniteteve, ashtu që dhe ndër tjerash, vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës do të mund të fitoheshin vetëm nëse votohen nga anëtarët e të njëjtit komunitet të cilin ata deklarohen që e përfaqësojnë.

Thënë këtë, ndër tjerash, Aktgjykimi sqaron që në kontekst të kërkesave të parashtruara bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, siç janë rrethanat e rastit konkret, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale. Ndërsa, bazuar në nenin 63 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës është Kuvendi. Ky i fundit ka kompetencën e plotë që të përcaktojë modelin dhe specifikat e sistemit zgjedhor përmes ligjeve të miratuara. Bazuar në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, ligjet e miratuara nga Kuvendi mund t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese, nëse kontestohen para saj bazuar në dispozitat e nenit 113 të Kushtetutës.

Në fund, Aktgjykimi sqaron edhe në tri çështje tjera dhe të cilat ndërlidhen me rrethanat e rastit konkret, si në vijim (i) një Aktgjykim tjetër të Gjykatës Supreme dhe i cili ka vendosur ngjashëm si në rrethanat e parashtruesit të kërkesës; (ii) detyrimin e ndjekjes së procedurave të nevojshme për shpalljen e pavlefshme të votave, duke përshirë edhe trajtimin e pretendimeve për shkelje, përkatësisht vepra të mundshme penale, lidhur me zbatimin e rregullave dhe procedurave zgjedhore, siç janë të përcaktuara në ligjet e aplikueshme; dhe (iii) efektet e këtij Aktgjykimi.

Lidhur me çështjen e parë, Aktgjykimi sqaron që parashtruesi i kërkesës në parashtresën e tij i është referuar edhe një Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, përkatësisht [AA.nr.30/2021], që është nxjerrë pas apeleve të subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak Nasha Iniciativa; Lista Boshnjake Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka, dhe i cili, sipas parashtruesit të kërkesës, bazuar në të njëjtin interpretim të paragrafit 4 të nenit 58 të Kushtetutës, ka anuluar/shpallur të pavlefshme fletëvotimet në të gjitha vendvotimet të cilat ishin kontestuar nga subjektet politike ankuese. Gjykata sqaron që, ky Aktgjykim asnjëherë nuk është kontestuar para Gjykatës dhe për pasojë nuk i është nënshtruar vlerësimit të kushtetutshmërisë së tij.

Lidhur me çështjen e dytë, Aktgjykimi sqaron që paragrafi 1 i nenit 64 të Kushtetutës i referohet specifikisht “numrit të votave të vlefshme” në përcaktimin e vendeve të fituara në Kuvendin e Republikës, ndërsa bazat përkatëse ligjore dhe mënyra e shpalljes së votave të pavlefshme është e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullativën tjetër të aplikueshme zgjedhore. Aktgjykimi vë theks në faktin që, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, shpallja e pavlefshme e votave, duhet të jetë e bazuar në bazë të qartë ligjore. Për më tepër, Gjykata thekson që veprat penale kundër të drejtave të votimit janë të përcaktuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pretendimet për shkelje përgjatë procesit zgjedhor, duke përshirë keqpërdorimin e të drejtës së votimit dhe procedurat si të njëjtat adresohen, janë të saktësuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, por edhe në Kodin e Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në fund, dhe lidhur me çështjen e tretë, përkatësisht efektet e këtij Aktgjykimi, ky i fundit sqaron që, ashtu siç Gjykata ka saktësuar në Aktgjykime paraprake që ndërlidhen me të drejta individuale në konteste paszgjedhore që ndërlidhen me zgjedhje parlamentare, përkatësisht në (i) Aktgjykimin KI207/19, me parashtrues NISMA Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimeve [A.A.U.ZH.nr.20/2019] të 30 tetorit 2019 dhe [A.A.U.ZH.nr.21/2019] të 5 nëntorit 2019 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës; dhe (ii) Aktgjykimin në rastet KI45/20 dhe KI46/20, me parashtruese Tinka Kurti dhe Drita Millaku, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimeve [AA.nr. 4/2020] të 19 shkurtit 2020 dhe [AA.nr.3/2020] të 19 shkurtit 2020 të Gjykatës Supreme, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky Aktgjykim nuk mund të prodhojë efekt juridik prapaveprues në rezultatin e shpallur zgjedhor përkitazi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim…