Nuk do të përkulemi para Putinit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kritikoi kundërshtarin e tij të mundshëm republikan, Donald Trump, për “përkulje” ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i kërkoi Kongresit amerikan ta miratojë ndihmën për Ukrainën, duke paralajmëruar se demokracia në të gjithë botën është nën kërcënim.
Biden mbajti të enjten mbrëma fjalimin vjetor drejtuar kombit, në një seancë të përbashkët të Kongresit.
Ai e kritikoi Trumpin për komentet e fundit në lidhje me NATO-n – aleancën e mbrojtjes të udhëhequr nga SHBA-ja, e cila shënon 75-vjetorin e themelimit këtë vit.
Duke folur gjatë një tubimi muajin e kaluar, Trump tha se derisa shërbente si president, e ka paralajmëruar një aleat të NATO-s se “do ta inkurajonte Rusinë të bëjë çfarë dreqi do” me ata anëtarë të aleancës që nuk paguajnë sa duhet për qëllime të mbrojtjes.
Deklarata shkaktoi frikë se Trump mund të përpiqet ta tërheqë SHBA-në nga NATO-ja, nëse i fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor.
“Të përkulesh para një udhëheqësi rus, është skandaloze, e rrezikshme dhe e papranueshme”, tha Biden, duke iu referuar Trumpit, ndërsa kujtoi sesi ish-presidenti Ronald Reagan – i cili mbahet mend me dashuri nga republikanët – i është kundërvënë Kremlinit gjatë Luftës së Ftohtë.
Biden tha se NATO-ja është “më e fortë se kurrë” dhe veçoi kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, në audiencë.
Në ditën që ai mbajti fjalimin, Suedia u bë zyrtarisht anëtarja e 32-të e NATO-s, duke u dhënë fund 200 vjetëve të neutralitetit ushtarak.
Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës së mbrojtjes pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.
Biden i bëri thirrje Kongresit që ta miratojë një projektligj për ndihmë për Ukrainën, duke paralajmëruar se Putin nuk do të ndalet në kufirin me Ukrainën.
Një grup i republikanëve të krahut të djathtë në Dhomën e Përfaqësuesve ka muaj që bllokon projektligjin, që do t’i ndante rreth 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare Ukrainës, e cila lufton kundër pushtuesve rusë.
Bllokada në Uashington bëri që forcat ukrainase të mbeten pa municione e armë – gjë që i mundësoi Rusisë të shënojë disa fitore në fushëbetejë. Muajin e kaluar, ajo pushtoi qytetin lindor, Avdijivka, duke arritur kështu fitoren e parë në më shumë se një vit.
“Ukraina mund ta ndalojë Putinin nëse ne qëndrojmë me Ukrainën dhe ia sigurojmë armët që i nevojiten për t’u mbrojtur. Ne duhet të ngrihemi kundër Putinit”, tha Biden.