Nuk do t’ju kompensohen orët shtesë, reagojnë zjarrfikësit
Sindikata e zjarrfikësve ka shprehur indinjatën lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për kompensimin e orëve shtesë, vendim në të cilin nuk janë përfshirë zjarrfikësit.
“Zjarrfikësit e Kosovës janë të zhgënjyer jashtëzakonisht me ketë vendim diskriminues dhe të pa drejt për zjarrfikësit te cilët edhe një here u anashkaluan, u përbuzën, u injoruan dhe mbi të gjitha edhe një herë institucionet tona treguan se zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale dhe ky gjest tregon se zjarrfikësit janë të pa mbrojtur dhe se askush nuk interesohet për këtë kategori të punësuarve”, ka reaguar Sindikata e Zjarrfikësve.
Sindikata ka theksuar se nuk janë kundër ndarjet së mjeteve për policinë, por janë të indinjuar se po diskriminohemi për vite me radhë, edhe pse sipas saj me ligj edhe zjarrfikësit janë staf i Ministrisë se Punëve të Brendshme.
“Ishim në bisedime me institucionet e vendit që nga ardhja e Qeverisë Haradinaj dhe patëm bisedime në vazhdimësi, u premtuan edhe mjete dhe buxhet. U ndanë 1.7 milionë euro, i kam të gjitha në letër dhe askush nuk e din se ku përfunduan. Edhe në mbledhje të Qeverisë janë publike deklaratat e ministrit Hamza se viti 2019 do jetë vit ku zjarrfikësit do t’i kenë të zgjedhura të gjitha problemet dhe do ketë buxhet të mjaftueshëm për të gjitha çështjet edhe për pajisje”, është thënë në këtë reagim.