Nuk duhet të mungojë vullneti politik për konsensus kombëtar
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ftuar subjektet politike t’i vazhdojnë përpjekjet për të gjetur konsensus kombëtar rreth temave të mëdha për vendin. Ai ka thënë se për të arritur këtë qëllim duhet energji pozitive dhe nuk duhet të mungojë as vullneti politik.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka deklaruar se këtë vullnet politik ende nuk e ka parë tek udhëheqësit shtetërorë. “Konsensuset në përgjithësi, ato kombëtare në veçanti, sidomos aty ku ka animozitet në mes të partive politike, nuk arrihen lehtë dhe kërkojnë përgjegjësi të madhe e energji pozitive politike, intelektuale e kombëtare për t’u arritur. Iniciativat për ta krijuar konsensusin kombëtar duhet të vazhdojnë, por edhe nuk duhet të mungojë vullneti politik. Nuk e di nëse drejtuesit e shtetit kanë vullnet politik për ta krijuar konsensusin kombëtar për bisedimet politike me Serbinë?! Atë vullnet deri më tani nuk e kam parë”, ka thënë Krasniqi.
Sa i përket fazës finale të dialogut për Serbinë, Krasniqi ka thënë se për këtë çështje duhet të arrihet konsensus kombëtar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, nëse për këtë çështje nuk arrihet pajtueshmëri mes subjekteve politike, atëherë bisedimet duhet të ndërpriten. “Kosova duhet të marrë frymë. Mënyra se si është biseduar e si po tentohet të bisedohet, urgjentisht duhet të ndërpritet dhe të arrihet konsensusi kombëtar në Kuvendin e Kosovës. Përndryshe, pasojat mund të jenë të paparashikueshme për të ardhmen e vendit. Kështu si është tani, ndërprerja e bisedimeve është puna më e mençur e mundshme. Më mirë ngrirja e raporteve sesa krijimi i hapësirës për konflikt të ri”, është shprehur Krasniqi.
Në këtë intervistë ish-kryetari i Kuvendit ka folur edhe për përpjekjet e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë. Krasniqi ka thënë se, përveç vullnetit të opozitës për mocion mosbesimi, duhen edhe numrat në Kuvend që, sipas tij, kjo opozitë nuk i ka. “Çështja e mocionit është e drejtë demokratike e opozitës, por ajo duhet t’i ketë numrat për ta bërë mocionin. Vetëm vullneti për ta rrëzuar Qeverinë, edhe opozita e di se nuk mjafton. Edhe po të krijohej mundësia për të shkuar në zgjedhje, zgjedhjet do të ishin më shumë se gjysmake, pasi do të vazhdonte të ishte i njëjti kryetar i vendit, i cili e ka atë pozitë edhe në sajë të partisë më të madhe opozitare. Këtu natyrshëm shtrohet pyetja cili do të ishte funksionimi i institucioneve kryesore të shtetit. Përpjekja e opozitës kështu si është e çorganizuar do të ishte përpjekje e Sizifit”, ka deklaruar Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, subjektet politike deri më tani kanë mbajtur disa tryeza politike për të arritur një konsensus kombëtar për temat e mëdha, por deri më tani nuk ka ndonjë rezultat. Cili është vlerësimi juaj për këtë iniciativë?
Krasniqi: Konsensuset në përgjithësi dhe ato kombëtare në veçanti, sidomos aty ku ka animozitet në mes të partive politike, nuk arrihen lehtë dhe kërkojnë përgjegjësi të madhe e energji pozitive politike, intelektuale e kombëtare për t’u arritur. Iniciativat për të krijuar konsensusin kombëtar duhet të vazhdojnë, por edhe nuk duhet të mungojë vullneti politik. Nuk e di nëse drejtuesit e shtetit kanë vullnet politik për të krijuar konsensusin kombëtar për bisedimet politike me Serbinë?! Atë vullnet deri më tani nuk e kam parë.
“Epoka e re”: Temat për të cilat po kërkohet konsensusi kombëtar janë dialogu me Serbinë, integrimet evropiane, formimi i ushtrisë dhe disa tema të tjera. Sa është jetik për vendin konsensusi për këto çështje?
Krasniqi: Mendoj konsensusi duhet të arrihet për bisedimet me Serbinë, për asociacionin e për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e Vuçiqit, e cila nuk duket se është duke e kërkuar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Epoka e re”: Si më urgjente po shihet arritja e një konsensusi kombëtar për fazën finale të dialogut me Serbinë. Si duhet të paraqitet Kosova në këtë fazë të procesit?
Krasniqi: Sa i përket çështjes së dialogut final, Kosova duhet të marrë frymë. Mënyra se si është biseduar e si po tentohet të bisedohet, urgjentisht duhet të ndërpritet dhe të arrihet konsensusi kombëtar në Kuvendin e Kosovës. Përndryshe, pasojat mund të jenë të paparashikueshme për të ardhmen e vendit. Kështu si është tani, ndërprerja e bisedimeve është puna më e mençur e mundshme. Më mirë ngrirja e raporteve sesa krijimi i hapësirës për konflikt të ri.
“Epoka e re”: Opozita ka kundërshtuar idenë që presidenti i vendit ta udhëheqë këtë fazë të dialogut. Nëse jo z. Thaçi, kush duhet ta udhëheqë delegacionin e Kosovës në këto bisedime?
Krasniqi: Deri tani bisedimet i ka udhëhequr Qeveria, por edhe kjo vetëm pasi të krijohet konsensusi kombëtar i partive politike parlamentare. Kuvendi është organi më i lartë i shtetit dhe Kuvendi nuk e ka mandatar Thaçin që t’i udhëheqë ato bisedime. Shikuar me paanësi, ato bisedime që po zhvillohen në Bruksel janë ilegale. Ato bisedime mund të mbështeten vetëm nga ndonjë zëdhënës i kryetarit në mediet tona të shumta.
“Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me këtë Qeveri?
Krasniqi: Partia ime është pjesë e Qeverisë. Qeverisjen le ta vlerësojnë shoqëria dhe qytetarët e Kosovës. Ata janë sovrani. Vlerësimi im nuk do të dukej serioz e as i besueshëm.
“Epoka e re”: Subjektet politike opozitare vazhdimisht po e kërcënojnë Qeverinë me mocion mosbesimi për ta hapur rrugën për zgjedhje të reja, por deri më tani nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim. Si e keni parë këtë përpjekje të tyre dhe a mund ta rrezikojë kjo opozitë Qeverinë?
Krasniqi: Çështja e mocionit është e drejtë demokratike e opozitës, por ajo duhet t’i ketë numrat për ta bërë mocionin. Vetëm vullneti për ta rrëzuar Qeverinë, edhe opozita e di se nuk mjafton. Edhe po të krijohej mundësia për të shkuar në zgjedhje, zgjedhjet do të ishin më shumë se gjysmake, pasi do të vazhdonte të ishte i njëjti kryetar i vendit, i cili e ka atë pozitë edhe në saje të partisë më të madhe opozitare. Këtu natyrshëm shtrohet pyetja cili do të ishte funksionimi i institucioneve kryesore të shtetit. Përpjekja e opozitës kështu si është e çorganizuar do të ishte përpjekje e Sizifit.
Muhamet KOCI