“Nuk e di se si do t’ia dalim”- qytetarët i frikësohen shtrenjtimit të rrymës

25 shkurt 2025 | 19:57

Me afrimin e marsit, nisin edhe shqetësimet për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës në Kosovë.

Në këtë kohë, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Sivjet, ZRRE-ja konfirmoi se kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë kanë kërkuar që ajo të shtrenjtohet, por nuk specifikoi se sa.

“Kur dëgjuam mbrëmë se çmimi i rrymës mund të rritet, u shqetësuam shumë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Merita Veseli.

Familja e saj 7-anëtarëshe jeton në një banesë në Fushë Kosovë, e cila ngrohet me rrymë.

Muajin e kaluar tregon se ka paguar 130 euro vetëm për këtë shërbim.

Bashkëshorti i saj është i vetmi në familje që punon dhe paguhet rreth 550 euro në muaj.

“Unë nuk e di se si do t’ia dalim nëse shtrenjtohet. Na mbetet vetëm të gjejmë një shtëpi me një shporet me dru. I kam fëmijët e vegjël dhe vjehrrin e moshuar. Të gjithë kanë nevojë për ambient të ngrohtë”, thotë 45-vjeçarja.

Shqetësim të ngjashëm ndan edhe Besimi nga Gjilani. Ai jeton me ndihmë sociale prej 120 eurosh në muaj dhe thotë se mezi ia del mbanë edhe me çmimet aktuale.

“Fatura më vjen 15-17 euro në muaj… Nëse rritet, nuk e di se si do të mbijetoj”, shprehet ai.

Për dallim prej tyre, Mehdi Delia thotë se është i përgatitur për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës.

“Unë jetoj vetëm dhe fatura e rrymës më vjen nga 15 deri në 20 euro në muaj. Nëse llogaritet për 30 ditë, nuk është as një euro në ditë. Për mua nuk është shtrenjtë, por për ata që kanë paga të vogla, mund të jetë e papërballueshme”, thotë Delia, duke treguar se punon në sektorin privat dhe se paguhet rreth 1.200 euro në muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërmarrja “Trepça” dje njoftoi se e ka larguar nga puna…