NUK E IMAGJINOJ VETEN TË BËJ DIÇKA TJETËR

04 janar 2019 | 14:54

Lindët në Tiranë në vitin 1960, por rritën vazhduat ta bëni në Vlorë. U kthyet të shkolloheni përsëri në Tiranë. Një vit pas lindjes sime, më 1985, diplomuat në Universitetin e Arteve në Tiranë. Jeta dhe krijimtaria juaj sot është në pëlhurë dhe në letër. Ju lutem, përpiquni kujtojini dhe rrëfejini në këtë intervistë kujtimet e 25 vjetëve të jetës suaj derisa e futët diplomën në xhep, për punët dhe vitet e tjera ju pyesim ndërkohë.

Agim Sulaj: Pas shumë vjetësh të jetës dhe punës sime, së pari falënderoj prindërit, babanë dhe nënën, të cilët më kanë mbështetur që në fillimet e mia në punën e artistit. Kam filluar të merrem me pikturë që në moshën katër vjeçe e gjysmë. Kursin e parë të pikturës e kam filluar në shtëpinë “Pionieri” në Vlorë, një godinë e bukur dykatëshe. Në sallat e mëdha të saj ndihej aroma e veçantë e bojërave të vajit dhe atmosfera e krijimit. Ato ditë që fillova punën e artistit aty, kur dielli dhe aroma e portokajve të Vlorës i jepnin një patos të veçantë ecjes sime nëpër kalldrëmet e qytetit, ndieja se kam lindur për t’u bërë ky që jam sot.

A e mendonit edhe një profesion tjetër kur u rritët?

Agim Sulaj: Ëndrra ime ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë puna e bërë nëpërmjet pikturës dhe karikaturës. Nuk e imagjinoj veten të bëj diçka tjetër.

Edhe pse jo aq shumë i rëndësishëm, megjithatë në moshën 19-vjeçare e fituat një çmim për karikaturë që jepte revista “Hosteini”. Ju nxiti ai çmim të bëheni ky që jeni sot: piktor dhe karikaturist i përmasave botërore?

Agim Sulaj: Me revistën “Hosteini” më prezantoi mësuesi im i parë, Sabahudin Xhaferi, edhe ai piktor dhe karikaturist. Isha student, fillimisht në Liceun e Natës, kur mora çmimin e parë. Ishte ndjenjë e mirë të vlerësohesha midis artistëve më të mirë.

Ku jeton sot Agim Sulaj dhe ç’punë bën?

Agim Sulaj: Jetoj në Itali, me familjen, që prej vitit 1994. Atë vit, pra para 24 vjetësh, erdha këtu në Rimini për të hapur një ekspozitë personale dhe vendosa të punoj e të jetoj këtu. Dhe, punoj shumë piktura dhe karikatura, çdo ditë në studion time.

Çfarë keni sot në vendin ku keni lindur? Ku mund t’ju takojnë njerëzit në Shqipëri?

Agim Sulaj: Në Shqipëri kam shtëpinë time në qytetin e Vlorës. Kam miq në Tiranë dhe në Vlorë. Sa herë shkoj atje për pushime, edhe kur shkoj për punë dhe për të hapur ndonjë ekspozitë, i takoj.

Në vitin 1989 punuat një vepër të jashtëzakonshme, “Valixhen e mërgimtarit”. Një vit më pas po me këtë valixhe ia mësytë Turqisë, një ekspozite të piktorëve dhe të karikaturistëve, dhe fituat çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Na flisni më shumë për këtë paraqitje dhe për këtë valixhe që tashmë është bërë e famshme gjithandej botës. Ku ka shkuar tjetërkund kjo valixhe dhe çfarë çmime ka marrë?

Agim Sulaj: Këtë valixhe e kam punuar në studion që kisha në Vlorë. Është një punim në letër i cili prezanton një valixhe me derë dhe me dritare, në formë të shtëpisë. Ishte një vepër që parashikoi largimin tim nga Shqipëria. E ndieja se diçka do të ndodhte, se jeta ime do të merrte hapësirë tjetër. Kjo vepër u vlerësua me çmim ndërkombëtar në Turqi, në konkurrimin më të njohur në botë për kartonët dhe karikaturën, pastaj në Itali, Iran, Belgjikë dhe Francë. Shumë vjet më vonë, po me këtë vepër, kam fituar çmime të tjera si në vitin 2013, pastaj çmimin Grand Prix në vitin 2015.

Ekspozita më shumë keni hapur aty ku jetoni dhe punoni tash, në Itali. Si ju janë pritur të derimëtashmet?

Agim Sulaj: Dy-tre vjet pasi erdha në Itali kam filluar bashkëpunimin me galerinë e njohur të artit në Bolonjë, në Forni, në të cilën i ekspozoja pikturat e mia. Shumë vepra të mia janë ekspozuar aty me artistë të njohur në botë, si: Luciano Ventrone, Odd Nerdrum, Giacometti etj. Në karikaturë kam marrë pjesë në një konkurrim ndërkombëtar në Cuneo të Italisë dhe dola fitues, e mora çmimin e parë.

Keni ekspozuar vepra edhe në Kosovë dhe ato janë përfshirë në disa përmbledhje punimesh nga piktura, grafika, kartoni.

Agim Sulaj: Në Kosovë kam marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të karikaturës, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Nexhat Krasniqi. Në atë vit (2006) tema e konkursit i dedikohej pavarësisë së Kosovës. Kështu që, e punova një vepër për Kosovën, për luftën e egër që kishte përjetuar populli i saj. Vepra ime u vlerësua me çmimin “Grand Prix” i cili kishte vlerë 10 000 euro.

Çfarë çmime të tjera u janë dhënë veprave të Agim Sulajt?

Agim Sulaj: Puna ime është vlerësuar me mbi 100 çmime ndërkombëtare, kryesisht në karikaturë. Kam fituar çmim në Kinë, Rusi, Amerikë, Kolumbi, Gjermani, Belgjikë, Francë, Angli, Itali, Portugali, Kroaci, Kosovë, Serbi, Bullgari, Rumani, Hungari, Iran, Turqi, Afganistan, Siri etj. Përpos në fushën e karikaturës, edhe në atë të pikturës kanë qenë të shumta ekspozitat e mia personale dhe pjesëmarrjet në ekspozita kolektive që kam hapur dhe jam paraqitur në Paris, Londër, Zvicër, Suedi, Oksford, Turqi, Shqipëri, Kosovë etj.

Në cilat shtete dhe qytete të tjera keni hapur ekspozita personale dhe në cilat ekspozita kolektive keni marrë pjesë?

Agim Sulaj: Po, për shembull, kam marrë pjesë në ekspozitën kolektive me skulptorin e madh Rouben Kolleyn në galerinë “Alpha Gallery” në Londër. Në Lugano të Zvicrës, në galerinë “Imago Art Gallery” kam hapur ekspozitë personale dhe kam marrë pjesë në atë kolektive përkrah paraqitjes së veprave me më të mëdhenjve të artit, si: Dali, Utrillo, Pikaso, Renoir, De la Tour. Në Paris kam hapur dy ekspozita personale në “Atelier an Girard” dhe në “Atelier du Tayrac”.

Kam lexuar një pjesë të jetëshkrimit tuaj. Aty kam parë edhe pjesëmarrjen tuaj në, së paku, 240 ekspozita kolektive dhe personale, të pikturës, të karikaturës, të grafikës, të kartonit. Së bashku me to keni kaluar shumë kufij dhe keni shkelur shumë toka dhe jeni prezantuar në shumë qytetërime. Evropianët këto udhë që kanë shkelur i kanë shkruar në letër, kanë bërë libra. Po Agim Sulaj, i ka shkruar këto kujtime në letër dhe me fjalë?

Agim Sulaj: Për udhëtimet e mia, për mbresat që më kanë lënë vendet dhe për kujtimet që më lidhin me ato vende u kam folur gazetarëve në artikuj të veçantë. Përpos që u kam rrëfyer atyre, kam punuar shumë katalogë me vepra të mia, por ende s’e kam shkruar një libër për jetën dhe krijimtarinë time.

Bërja e veprave dhe ekspozimi i tyre është i kushtueshëm, sidomos kur duhet të shkoni në vende të largëta. Kush ju përkrah financiarisht?

Agim Sulaj: Me fitimet e çmimeve nga konkurset e pikturës dhe të karikaturës sponsorizoj edhe dërgimin e tyre në ato vende që organizojnë këto konkurse, po edhe udhëtimet e mia, me të gjitha shpenzimet.

Çfarë dukurish trajtoni dhe kënd e kritikoni në veprat tuaja? Pra, për çfarë ngrehni zërin?

Agim Sulaj: Kryesisht tema që sensibilizojnë probleme të mëdha, si: emigrimin, mbrojtjen e ambientit, Evropën me të gjitha problemet e saj, të drejtat e njeriut etj.

A mund të jetohet me punën që bëni, pa pasur edhe një punë dhe rrogë tjetër?

Agim Sulaj: Deri tani kam arritur të “mbijetoj” nga puna ime dhe ta mbështes jo vetëm punën time, po edhe familjen.

I kam parë dhe i kam shpërndarë në llogarinë time në “Facebook”, edhe në libra dhe në media, disa prej veprave tua. Jo rrallë i them vetes se po e teproj duke i kërkuar Sulajt pëlqimin për përdorimin e pamjeve të veprave të tij në veprat e atyre autorëve të cilëve, me shtëpinë time botuese, u botoj libra. Por, prapë, sa herë që shikoj profilin tuaj, gjej diçka që duhet të zë vend në ndonjë libër tjetër. Këtë herë, edhe publikisht, dua t’jua kërkoj, për numrin e katërt të kësaj reviste që po bëjmë këtë intervistë, portretin e ri për Skënderbeun, meqë shqiptarët sivjet kudo e kujtojnë dhe nderojnë strategun më të madh të luftës, në 550-vjetorin e vdekjes. Unë, sa herë që po e shikoj Skënderbeun që e keni krijuar me duar, po them i bukur, tërheqës, që të lë pa fjalë, që të mbushë me krenari, po edhe të nxitë të flasësh e ta duash heroin dhe shqiponjën. Ç’thotë ajo vepër për ju?

Agim Sulaj: Portretin e Skënderbeut e kam punuar tri herë. Gjithmonë e kam imagjinuar pa shpatë dhe e kam prezantuar pa të. Edhe në këtë të fundit jam munduar të paraqes një hero mendimtar dhe largpamës, që nuk të vështron, por ia lë vendin artdashësit ta sodisë e të komunikojë me të.

Jetoni në periferi të Italisë, në një qytet në të cilin zhvillohet dhe promovohet kulturë. Tekefundit, mjafton të jeni vetëm ju aty. Po si ju duket veprimtaria kulturore që zhvillohet sot në Tiranë?

Agim Sulaj: Rimini është qytet i vogël, por ka histori të bujshme. Tashmë jam bërë pjesë aktive e jetës artistike të qytetit edhe me pjesëmarrjen e kurseve të ndryshme që organizoj. Po aq sa këtu, edhe në Tiranë ka shumë artistë të zotë, por janë lënë në harresë. Mbijetesa e tyre atje nga piktura është pothuaj e pamundur.

Sigurisht ende i ruani në celular ose në notes numrat e celularëve të miqve që tashmë kanë ndërruar jetë. Kush prej tyre ju mungon më së shumti? Për çfarë i kujtoni ata që do t’i përmendni?

Agim Sulaj: Në këtë rast mund ta përmend mësuesin tim të parë, Sabahudin Xhaferrin, i cili ka qenë drejtuesi im i parë në rrugën e artit. Ai u nda nga jeta dy vjet më parë në Amerikë. Dhe, thjesht, emigrimi është një lloj ndarje prej së gjalli, ku mungesat e miqve dhe të shokëve i mbush me krijime të mira.

Sa është krijues i lirë Agim Sulaj?

Agim Sulaj: Jam i pavarur dhe s’kam impenjime që të heqin apo cenojnë lirinë.

Gimo, veçse kam vërejtur edhe një gjë tjetër në veprat tua. S’e keni provokuar asnjërin religjion, asnjërin personazh biblik dhe kuranor çfarë, ta zëmë, kanë bërë dhe kanë hëngër plumbin, kolegët e tu francezë. Frikësoheni të talleni me librat e shenjtë, me personazhet dhe ngjarjet e tyre, apo jeni besimtar dhe doni të keni paqe me fetë dhe besimtarët?

Agim Sulaj: Parimi im ka qenë dhe vazhdon të jetë: mos t’i godas religjionet apo lirinë e besimit. Lapsi im kritikon njeriun dhe problemet e tij si një prej shkaqeve kryesore të deformimit të rregullave shoqërore. Unë ndiej dhembje të madhe për kolegët e revistës “Charlie Hebdo”, të cilët i kam pasur miq të mirë, sepse me ta kam marrë pjesë dhe kam bashkëpunuar në disa aktivitete artistike që kemi realizuar në Paris.

Cilin karikaturist duhet ta ndjekim në rrjete sociale, t’i vizitojmë ekspozitat e tij dhe për ç’arsye veprat e tij janë, sipas teje, të mira?

Agim Sulaj: Po, mund t’ju sugjeroj Angel Boligan, Pawel Kuzincky, Ralph Steadman, Mikhail Zlatkowsky etj. Janë miq të mirë të mitë, edhe pse shpeshherë jemi “përleshur” për vendin e parë në konkurrime të mëdha botërore.

Kush janë ata karikaturistë dhe piktorë që ju kanë pëlqyer dhe që ju pëlqejnë?

Agim Sulaj: Nëse flasim për karikaturistë, janë: Goya, Onore Daumier, Ralph Steadman, Norman Rockwell. Në pikturë janë Rembrandt, Wermer, Leonardo da Vinçi e plot të tjerë.

Duke parë idetë tuaja të holla të gjuajtura në letër dhe në pëlhurë, s’dyshojmë se mendjen e ushqeni edhe me vepra letrare. Çfarë lexon Agim Sulaj? Kush janë shkrimtarët e tij të pëlqyer, prej të huajve dhe tanëve?

Agim Sulaj: Dikur kam lexuar shumë, po ende vazhdoj të lexoj. Shkrimtarët shqiptarë kryesisht i lexoj në gjuhën amtare. Nuk mund të bëj një përzgjedhje të shkrimtarëve, veprat e të cilëve i lexoj por klasikët, për mua, janë monumente të mendimit.

Kur takoheni me miq të huaj, çfarë u flisni për Shqipërinë dhe çfarë për Kosovën?

Agim Sulaj: Më mirë se unë për vendin tim dhe tuajin flet vepra ime e cila prezanton një Shqipëri të përparuar, të talentuar, evropiane.

Po të përgatisnit një guidë për trojet shqiptare, cilat janë ato tri vende që duhet t’i vizitonim?

Agim Sulaj: Detin e Vlorës dhe bjeshkët e Shqipërisë, cep më cep.

Si do të donit ta përfundim këtë intervistë?

Agim Sulaj: Me një përqafim virtual, me dëshirën për punë të reja, me vlerësime të shumta, për ju dhe për mua.

Intervistoi: B. Armagedoni

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Prishtina po vazhdon të përgatitet për pjesën e dytë…