Nuk është e lehtë të shkruash për Visarin
Një vit u bë dhe mendja nuk bindet se Ai nuk është i pranishëm në këtë botë, të cilën jo rrallë e quante të vrazhdë.
E takova për herë të parë në sheshin Planpalais në Gjenevë, në Dhjetor të vitit 1993. Një njohje spontane, e papritur…
E vërejti që jam shqiptar sepse e mbaja në dorë gazetën Zëri i Kosovës. Më përshëndeti. Kapela mbi kokë që e kishte vënë me stil rokeri, ia kishte zënë fytyrën dhe mezi e dalloja. Pa ia kthyer përshëndetjen i thash, po mendoj se prej nga ju njoh! Ndoshta njihemi, e nëse jo, do të mund të njihemi tani e tutje më tha. Jam Visar Reka, nuk di të ju them se jam nga Shkupi, nga Prishtina apo nga Gjeneva. Edhe unë u prezantova duke i thënë se jam nga Prishtina.
– E po, ndoshta atje jemi parë më tha. Shpesh e kërkoj këtë gazetë që po e mbani në duar por nuk e gjejë lehtë.
– Po përpiqemi që të organizojmë shpërndarjen nëpërmes rrjetit të shitjes nëpër kioske ia ktheva.
– Do të ishte mirë sikur të bëhej kjo.
– E ti ku e gjete ?!
– Unë para pak kohësh kam ardhur në Zvicër dhe sapo jam integruar në redaksi, tash jam njëri prej redaktorëve të saj i thash.
– Ashtu. Atëherë nuk do të ndahemi pa e pirë nga një birrë bashkë…
Kështu e nisëm bisedën me Visarin një ditë të ftohët Dhjetori të vitit 1993.
Duke biseduar kaluam pjesën e vjetër të qytetit dhe zumë vend tek restoranti Le Lacustre, përskaj liqenit Leman.
Biseduam për gjendjen në Kosovë, për përndjekjet e veprimtarëve antipushtues dhe fushatën e arrestimeve të vitit 1993 ; Për braktisjen e vendit gjithnjë e më shumë nga të rinjtë; Për luftërat në Kroaci e Bosnje ; Për faktin se me organizimin politik që e kishte Kosova nuk mund as të mendojmë se do të mund të ndryshojë gjendja për të mirë…Për domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve dhe intensifikimit të rezistencës deri në kryengritje të armatosur edhe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare…
Biseduam edhe për ngecjet në çdo sferë në Kosovë edhe në sferën e kulturës. Më tregoi se ishte kitarist dhe kishte luajtur me disa bende, e veçoi grupin TELEX-at nga Shkupi, të cilin në fillim të viteve të 80-ta, i quanim Roulling Stons-ët shqiptarë… Biseduam edhe për Zvicrën, mundësinë e integrimit dhe ambientimit më të shpejtë në mjedisin dhe shtetin ku ai tashmë ishte integruar mirë, kurse unë kisha shkuar atje dy muaj më parë…
Nga kjo ditë me Visarin jemi takuar shpesh. Në të gjitha aktivitetet që i organizonim jo vetëm në Gjenevë Visari ishte i pranishëm. Ai filloi të na ndihmoi për organizimin e tubimeve dhe demonstratave. Në shumë raste regjistroi me kamerën e tij tubimet, dhe aktivitetet e tjera që zhvilloheshin jo vetëm në Gjenevë por gjithandej Zvicrës Gjermanisë dhe Francës…
Nuk e di nëse ka mundur t’i ruaj ato regjistrime. Sot do të ishte material i pasur arkivor që do të dëshmonte për përkushtimin e madh që e kishim për të mobilizuar bashkatdhetarët, për të ndihmuar luftën në Kosovë dhe për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtarë për gjendjen e rëndë, okupimin dhe shtypjen e egër të popullit shqiptar nga shteti serb…
Materialet që shpërndaheshin gjatë protestave para Zyrës së OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, Visari i përkthente në gjuhën angleze. Ai ishte poliglot. Fliste disa gjuhë. Në Gjenevë ka punuar edhe si përkthyes. Përkthente materiale për autoritetet e kantonit të Gjenevës në gjuhën frënge, nga gjuhët; shqipe, serbo-kroate, maqedonas, turke dhe ajo angleze, derisa sa u kthye në Kosovë gjatë luftës çlirimtare.
Pas intensifikimit të operacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Visari me tërë qenien e tij, sikurse edhe familja e tij, ishte në shërbim të lirisë dhe Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës.
Në tubimet informative që organizoheshin me bashkatdhetarë, ai si një, skenarit, producent dhe regjisor i shkëlqyeshëm i përgatiste për t’i shfaqur filmat dokumentar, informatat dhe xhirimet nga fushëbetejat dhe intervista të ushatrëve të UÇK-së. Me shumë pasion e pati përgatitur dhe shfaqur për herë të parë intervistën e njohur të Komandantit Fehmi Lladrovci dhënë gazetarëve të njohur televizionit Britanik BBC Devid Llojd dhe Vaughan Smith.
Zakonisht shpërndante tek gazetarët e akredituar në selinë e OKB-së në Gjenevë, dhe mediat më të mëdha ndërkombëtare, xhirimet dhe materiale të tjera, ku pasqyrohej terrorizmi shtetëror dhe gjenocidi që ushtronte shteti serb ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë.
Në janar të vitit 1999, Visari e përktheu në gjuhën angleze dhe frënge informatën për krimin gjenocidar të policisë e ushtrisë serbe në fshatin Raçak të Shtimes e cila u shpërnda tek gazetarët e akredituar në Selinë e OKB-së në Gjenevë dhe tek mediat dhe agjencinë e lajmeve në të katër anët e globit.
Pas përfundimit të Konferencës së Rambouillet-s, Visari bashkë me delegacionin kthehet në Tiranë ku në vazhdimësi ndihmoj drejtuesit dhe ushtarët e UÇK-së, komunikonte me gazetarë e diplomatë lidhur me zhvillimet në frontet e luftës në Kosovë, dhe për krimet e gjenocidin që ushtronin forcat e armatosura serbe kundër popullsisë civile në Kosovë…
Si çdo veprimtarë e ushtarë lirie, edhe Visari çlirimin e Kosovës e priti me entuziazëm dhe gëzim të madh. Në qershor 1999, u takuam në Prishtinën e lirë. Ia dolëm, urime! Ishin fjalët e tij të para, akoma pa u përqafuar. Ishte i mbushur me plot eufori, optimizëm , me plane për të ndërtuar paqen dhe për të rifilluar jetën në Kosovën e lirë.
Shpejt u ri integrua dhe harroi se një pjesë të jetës e kishte kaluar nëpër vende të perëndimin Angli e Zvicër. Tash do ta kompensoi mungesën time në Shkup e Prishtinë thoshte shpesh.
Punoi në projekte të ndryshme mediale. Kishte një mprehtësi intelektuale për problemet shoqërore, gjeopolitike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat publike. Punoi në Qeverinë e Republikës së Kosovës në cilësinë e këshilltarit politik.
Shpesh herë ishte i pranishëm edhe nëpër tryeza ku shquhej me analizat e tij, rreth problemeve dhe situatave qoftë të brendshme apo ndërkombëtare, të cilat e tërhiqnin vëmendjen.
Visar Reka kishte menduar dhe vrarë mendjen për shumëçka, por kurrë nuk e kemi dëgjuar se është brengosur për shëndetin e tij. Kur filloi të ankohej se nuk ndihej mirë një sëmundje tinëzare kishte zënë vend në trupin e tij. Filloi ta sfidojë sëmundjen e cila u bë shkas që ai sërish të migroi në Londër, por fatkeqësisht nuk ia doli.
Më 18 shtator 2023, kumti mortor për Visarin mori dhenë, duke lënë të pikëlluar familjen e gjerë Reka, Violen, fëmijët Leken dhe Vesen, shumë miq, e shokë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e mërgatë.
Visarin do ta kujtojmë si intelektual, muzicient, skenarist, producent, regjisor, por edhe si veprimtar të paepur dhe një prej aktorëve që e shpërndau në botë të vërtetën për luftën çlirimtare të popullit shqiptar dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për eruditin Visar Reka!
Ramadan Avdiu. 18.09.2024