Nuk është film apokaliptik…
Në 31 persona ka shkuar numri i viktimave nga zjarret e fuqishme në Kaliforni të SHBA. Mbi 200 persona rezultojnë të zhdukur, kurse mijëra shtëpi janë shkrumbuar nga flakët.
Një ndër to është edhe ajo e aktorit të njohur hollivudian, Gerard Butler. Ai ka publikuar foto të shtëpisë së tij të shkatërruar. Gjithçka duket si skenë filmi apokaliptik.
Në mesin e shtëpive të djegura është edhe ajo e muzikantit kanadez Neil Young.
Edhe këngëtarja dhe aktorja e njohur Miley Cyrus, ka ndarë me të gjithë lajmin e hidhur se shtëpia e saj në Kaliforni është shkrumbuar nga flakët.
Shtëpia 2.525 milionë dollarëshe e Mileyt është shkrumbuar tërësisht nga flakët ndërsa studio e saj e regjistrimit ka mbetur e paprekur.
“Totalisht e shkatërruar nga zjarri që ka prekur zonën ku unë banoj. Unë jam një nga ata me fat. Kafshët e mia dhe dashuria e jetës sime janë të sigurtë dhe kjo është gjithçka që ka rëndësi tani. Shtëpia ime nuk ekziston më, por kujtimet e ndara me familjen dhe miqtë qëndrojnë të forta. Jam mirënjohëse për gjithçka që më ka mbetur. Ju dërgoj shumë dashuri dhe mirënjohje zjarrfikësve. Ju dua më shumë se kurrë”– shkroi Miley në një postim në Instastory.
Aktori amerikan Charlie Sheen njoftoi më herët se prindërit e tij ishin zhdukur gjatë një evakuimi të banorëve nga autoritetet lokale. Më vonë, Sheen raportoi se familja e tij ishte në gjendje të mirë.
Në total, mbi 300 mijë persona janë evakuuar për shkak të zjarreve në shtetin e Kalifornisë, pjesa më e madhe në Los Angelos.