Nuk është mirë, por mund të bëhet edhe më keq!

30 maj 2024 | 00:26

Shkruan: Xhevdet Pozhari

Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të ketë koalicion të ri qeverisës me në krye VMRO-DPMNE’në. Dhe si gjithë të mëparshmit, edhe partnerët e rinj qeveritarë,  premtojnë se do e luftojnë korrupsionin dhe do angazhohen për zhvillimin ekonomik të vendit. Me çka del në dukje ajo që i barazon thuajse të gjitha partitë e këtushme, pa marrë parasysh përkatësin e tyre etnike apo ideologjike: para se të ulen në kolltukët pushtetar betohen se do e luftojnë hajdutërinë, por porsa e shijojnë forcën e pushtetit dhe porsa t’i dehë era e euros, përnjëherë tjetërsohen dhe bëhen ‘kozmopolitë’ dhe ‘properëndimore’ të përbetuar. Dhe kështu, të veshur me kapotën e vlerave evropiane, nga partiakë jo mirë të ushqyer e pabukës, bëhen kapitalistë të plotfuqishëm.

Dhe nëse gjykohet nëpërmjet premtimeve parazgjedhore, VMRO-DPMNE’ja ka dhënë edhe një premtim shtesë: se do ia kthejë shtetit edhe krenarin e munguar?! Me çka mbete të shihet si do duket ajo ‘krenari’ e rikthyer e Maqedonisë. Siç do mbetet të shihet çka nënkupton kjo parti me kthimin e krenarisë dhe si dhe ku e ka humbur shteti atë: në paragrafët e Marrëveshjes së Prespës apo në mosmarrëveshjet me Bullgarinë?!

Ndërkohë, sa u përket qeverive të drejtuara nga VMRO-DPMNE-ja,  ato vetvetiu të rikujtojnë mosmarrëveshje ndëretnike, rrahje mes nxënësve maqedonas e shqiptarë, brohoritma nëpër sallat sportive ‘Vdekje shqiptarëve’ dhe ‘Bullgarë tatarë’, ngritja e kryqeve ortodokse nëpër majat e kodrinave të vendit…,  Apo thënë më qartë, qeveritë e drejtuara nga kjo parti maqedonase e shpalosin të vërteton se ADN-ja e VMRO-DPMNE’së përbëhet nga antishqiptaria, e që sot është e përforcuar edhe me bullgarofobi irracionale.

Përndryshe VMRO-DPMNE’në thuajse gjithmonë e kanë shoqëruar paradokset. Siç është ai i viteve të para të funksionimit të saj kur nën mbulesën e saj bugarofile mëkoheshin e vepronin  strukturat e ndryshme proserbe të cilat kishin për qëllim t’i eliminojnë ato pro bullgare dhe ta morrin në duar partinë . Me çka, “zmejkot” dhe “gollubovcat” e ndryshëm vazhdonin ta ushqejnë frikën irracionale nga shqiptarët, apo ta ushqejnë antishqiptarinë çmendurake e cila me shumëçka i ngjante dhe i ngjanë anti bullgarizmit të sotëm.

Dhe ajo antishqiptari kishte për qëllim t’i mbajë të tensionuara marrëdhëniet ndëretnike duke e ditur se vetëm ashtu do mund të mbulohej e vërteta se gjatë tërë pesë dekadave sa ekzistonte ky shtet, në administratën shtetërore nuk ishin punësuar as pesëdhjetë shqiptarë , se nëpër universitetet shtetërore të një Maqedoni të tillë, nuk kishin diplomuar as aq shqiptarë sa ta mbushnin një autobusë dhe se nëpër rrugët e Shkupit më parë mund të takoje ndonjë arushë se sa ndonjë gjykatës shqiptar apo ndonjë funksionarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. 

Dhe ajo antishqiptari irracionale e solli Maqedoninë deri te konflikti i 2001. E që sot e ngjallë pyetjen e logjikshme: deri ku mund të çojnë Republikën  e Maqedonisë së Veriut këto mosmarrëveshje me fqinjët, veçanërisht kjo bullgarofobi irracionale që nuk e lejon atë t’i përfshijë në Kushtetutën e vendit edhe bullgarët.

Në të vërtet mospajtimet e sotme me fqinjët e saj mund t’i nxit qëllimkëqijtë të besojnë se edhe pas tyre Maqedonia fshehë ndonjë të vërtet nga e cila frikohen elitat e këtushme maqedonase, elita që kryesisht janë të shkollës serbe dhe me orientim pro serb.

Sidoqoftë Republika  e Maqedonisë së veriut së shpejti do ketë qeveri të re. Qeveri e cila do trashëgojë një shtet ku vyshken të gjitha idealet dhe ëndrrat rinore, me çka vendi ka nisur t’i ngjajë një azili të madh për pleq. Pra qeveria e re e VMRO-DPMNE’së do trashëgojë një shtet me elita të cilat jo njëherë janë dëshmuar të afta të trillojnë armiq, që pastaj të harrojnë se ato janë trill i tyre dhe të nisin t’u besojnë e t’I kenë frikë si të ishin të vërtetë.

Në të vërtet jo njëherë është dëshmuar se popujt ballkanas janë të prirë t’i trillojnë armiqtë e vet. Thuajse se ata pa armiq edhe nuk mund të ecin përpara. E për çka më të shkathtë janë ata të shkollës së Beogradit.

Por sidoqoftë, është e padrejtë që paraprakisht të paragjykohet nëse qeveria e re e VMRO-DPMNE’së do jetë si shumë të mëparshme. Pra nëse edhe ajo paaftësinë e vet do e mbulojë me armiq të brendshëm e të jashtëm, apo do tregohet mjaftueshëm e mençur sa ta kuptojë se në këto kohë të trazirave të mëdha globale që nuk premtojnë të nesërme më të mirë se e sotmja, nuk është as patriotizëm, e aq më pak kthim i krenarisë së munguar, nëse armiqësohesh me të gjithë fqinjët me të cilët je pjesë e aleancës së njëjtë ushtarake – NATO’s, e të mbetesh i vëllazëruar vetëm me filialin politik të Moskës – me Serbinë. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka zhvilluar sot aksion në veri të…