Nuk fjeta deri n’sabah…
Shkruan: Kimete Berisha
Shumë e shqetësuar për pozitën e gruas në shoqëri.
Pozita e gruas në këngë – e neveritshme, e tmershme, e ultë, varr. i hapur.
Poezia dikur e ka redaktuar realitetin, e ka zbukuruar realitetin…
tash poezia e këngës e nxinë të zezën; çel tokën e çon nga varri të vdekurin.
Pozita e gruas në humorin e stupcave është robëreshë primitive, e përulur, pronë private e burrit.
Humori dikur i ka redaktuar të metat patriarkale të shoqërisë…
Sot humori i shqiptarëve e varros gruan shqiptare të gjallë.
Dhe ajo pranon.
Kur pranon të varroset e gjallë, pranon që barkun e saj ta bën varr për vajzën e saj të palindur.
Humor me burrat nuk bëjnë gratë.
Edhe më e shqetësuar, qysh ndodhi: dy gratë (opinionistja dhe sidomos moderatorja) në Big Brother me
kryqa sa krahu në gjoks, që zonjat e rënda simbolin e flijimit e përdorin për modë…
nuk e mbrojtën gruan që meshkujt po e gjuanin me gurë në moral.
Gruaja shqiptare – kur do ta fitojë simpatinë e burrit -i bashkangjitet burrit në urrejtjen e tij kundër grave të pavarura (nga ai).
Mashkulli tipik shqiptar mendon se gruaja e lirë është e përdalë.
Prandaj gruas së ndershme gjithmonë i kanë thënë ‘Ajo është grua nën sund’!
Mendimi i parë që i shkon mendja një mashkulli kur e sheh një femër të lumtur – është mendim amoral.
Fjala e parë që e thotë mashkulli kur e sheh femrën duke kënduar është, hë, çka t’ra n’mend: Dashuria e parë?
Femër e mirë e ndershme është vetëm femra e trishtuar.
Nëse s’dukesh e lumtur – je e ndershme.
Nuk e di unë çka ka ndikuar që gjeneratat e reja t’i urrejnë femrat kaq shumë!
Vajzi i pseudo hoxhallarëve apo gazetaria?
Jo femrat e nënshtruara, femrat e pagojë dhe të dorëzuara – ato nuk i urrejnë.
I urrejnë vetëm gratë e pavarura dhe të zonjat.
Mashkulli shqiptar nuk pranon që femra të jetë më dikushi se ai.
Mendt e kresë e lënë.
E vetmja mënyrë për të mbijetuar është – aktrimi i nënshtrimit.
Kush s’ka ditur ta aktrojë përultësinë, dhe nënshtrimin para mashkullit – ka mbetur vetëm, kështu si unë…!
P.S. Kjo përndjekje po i ndodh edhe Ganimete Musliut, vetëm pse është e guximshme, e sinqertë, besnike e partisë së saj dhe nuk kalkulon për interesa personale…
Burrat e shajnë në emrin e Albin Kurtit, i cili e ka pushtetin!
Të mos ishte demokraci, do të na vrisnin për fjalën e lirë…
Në njëfarë mënyre na kanë vrarë!