Nuk gabojnë Clevelandi dhe Bostoni
Clevelandi nuk gaboi në ndeshjen e tij të radhës në kampionatin e basketbollit amerikan, NBA.
Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nga Ohio mundi Miamin me rezultatin 91-89, në një ndeshje shumë të luftuar, që në fund nxori si fituese pikërisht skuadrën nënkampione me vetëm dy pikë diferencë.
Miami tentoi t’i shkaktojë një surprizë të hidhur Clevelandit, me Goran Dragiç që shënoi 18 pikë, por pa ia dalë mbanë, pasi Cavaliers kishin në një formë shumë të mirë LeBron James, që bëri të mundur mbajtjen pas të skuadrës nga Florida, ndërkohë që ai vet e mbylli sfidën me 24 pikë e 11 topa në tabelë.
Në “TD Garden”, Bostoni mundi me shumë lehtësi New York Knicks me rezultatin 103-73, duke përforcuar vendin e parë në Konferencën e Lindjes.
Bostoni nuk e kishte në dispozicion Kyrie Irving, por kjo mungesë e tij nuk u ndje aspak në parket për Celtics, që në këtë sfidë me Knicks gjetën një tjetër udhëheqës, Terry Rozier, që e mbylli sfidën me 17 pikë, 11 topa në tabelë dhe 10 asiste, ndërsa Morris shënoi 20 pikë në 19 minuta.
Në krahun tjetër, Enes Kanter me 17 pikë e 17 topa në tabelë, nuk mjaftoi për New Yorkun për të vënë në vështirësi Boston Celtics.
Portland nuk dështoi në përballjen me Chicagon, duke e mposhtur me rezultatin 124-108. Skuadra nga Illinois, në të vërtetë nuk zhvilloi një lojë të dobët, aty ku spikati Zach Lavine me 23 pikë dhe 2 asistime, por Portland kishte gjithnjë një marsh më shumë, e kjo falë McCollum që shënoi 50 pikë në 29 minuta, duke e udhëhequr skuadrën drejt fitores praktikisht i vetëm.
Me këtë sukses, Portlandi i afrohet Oklahomës së vendit të pestë në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit. (Top Channel)