
Nuk iu ndal “stopit” të policisë dhe shkaktoi aksident, gjobitet 18-vjeçari në Ferizaj
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person nuk e ka zbatuar urdhrin e Policisë së Kosovës për tu ndalur, dhe duke ikur nga patrulla ka shkaktuar aksident trafiku.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur sot në Ferizaj, ku Policia e Kosovës i ka dhënë shenjën për tu ndal një veture në rrugën “Driton Islami”, por që e njëjta nuk është ndal dhe është larguar për në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”.
18-vjeçari, që ishte duke e drejtuar makinën, gjatë ikjes ka goditur dhe dëmtuar objektin e një furre buke.
“Një person nuk ndalet në shenjën stop të policit dhe shkakton aksident trafiku në Ferizaj
Me datën 14.03.2025, rreth orës 13:28, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, njësia e policisë së komunikacionit rrugor i ka dhënë shenjë për t’u ndalur një veture të tipit Mercedes me targa vendore. Megjithatë, drejtuesi i automjetit nuk është ndalur dhe ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi të madhe.
Gjatë percjelles policore, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, i dyshuari ka shkaktuar një aksident trafiku duke goditur dhe dëmtuar objektin e një furre buke.” – thuhet në njoftim.
Tutje PK bëri të fituar se 18-vjeçari nuk kishte patentë shofer dhe se ndaj tij i janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse.
“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe i dyshuari M. Sh., 18 vjeç, është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit është iniciuar rasti për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për procedurë të rregullt, ndërsa i janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse për:
– Mosrespektim të shenjës “Stop” të policit.
– Drejtim të automjetit pa e fituar të drejtën për patentë shoferi.” – thuhet në njoftim.