Nuk janë votat për versionin aktual të demarkacionit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se është shumë vështirë të sigurohen dy të tretat e votave në Kuvend për ratifikimin e versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se edhe brenda PDK-së dhe LDK-së ka deputetë të cilët do të votojnë kundër kësaj marrëveshje.
“Duke u bazuar në deklarimet e mëhershme të deputetëve, mendoj se do të jetë vështirë të arrihen dy të tretat e votave për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Megjithatë, vendimi u takon deputetëve të Kuvendit që të vendosin për këtë çështje, pra është përgjegjësi e tyre”, ka thënë Kadrijaj.
Kadrijaj, e cila është edhe zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka theksuar se Kosova nuk duhet të bëjë kompromis e, për shkak të liberalizmit të vizave, të japë tokë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)