Nuk ka asnjë personalitet në botën intelektuale në Kosovë të jetë i pajisur me më shumë vlera etike e kulturore se sa akademik Rexhep Qosja
Shkruan: Sabri Kiçmari
Duhet të ketë qenë vjeshta e vititi 1985 kur e kam parë për herë të parë akademik Rexhep Qosjen, në një orë letrare. Me një mjekërr të zezë e karakteristike, me trupin drejt dhe kokën lart, kur hyri në sallën e Fakultetit Filozofik, ku mbahej ora letrare, salla u elektrizua nga duartrokitje frenetike. Ai ishte bërë simboli karizmatik i dijetarit, të cilin ne, të rinjtë dhe të rejat veprimtarë për Republikën e Kosovës, e konsideronim se është “në anën tonë, në anën e Republikës.” Diçka e tillë nuk ishte e rëndomtë në atë kohë.
Nuk ka asnjë personalitet në botën intelektuale në Kosovë të jetë i pajisur me më shumë vlera etike e kulturore se sa akademik Rexhep Qosja. Në krijimin e këtij kapitali vleror, profesor Qosja është ndeshur me kundërshti, arrogancë të pushtetit, përndjekje dhe dhunë të hapur psikologjike. Rezistenca e tij ndaj të padrejtës, robërisë dhe pabarazisë e ka shndërruar atë në simbol të dinjitetit intelektual ndër shqiptarë.
Figura karizmatike e Rexhep Qosjes është krijuar nëpër decenie për të marrë karakterin e një prej personaliteteve më të shquara të botës shkencore, politike dhe shoqërore ndër shqiptarë.
I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj, në Krahinën e Malësisë, ku mbaroi klasët e para të fillores dhe pastaj gjysmëmaturën në Gusi, si djalë i ri u vendos në Prishtinë. Prishtina dhe Vuthaj do ta përcjellin gjatë gjithë jetës së tij si ambiente jetësore, me gjithë dallimet e mëdha të tyre. Çdo verë profesori do të shkojë në Vuthaj, për të shijuar ajrin e pastër të bjeshkëve dhe për të përjetuar dashurinë pamasë të malësorëve, kurse në kohë pune e semestrash do të kalojë në mesin e studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe veprimtarëve për liri.
Në ditëlindjen e tij të 85-të, mikut tim të dashur Akademik Rexhep Qosja, i uroj shëndet dhe të vazhdojë të na sjellë mendime me vlerë filozofike e politike, vepra letrare dhe pikëpamje për të ecur drejt së ardhmes së ndritur të kombit tonë!