‘Nuk ka asnjë shans që të shohim dy britanikët të duelojnë mes tyre vitin tjetër’
Frank Warren ka përjashtuar mundësinë që fansat më në fund të shohin një përballje britanike në peshën e rëndë mes Tyson Fury dhe Anthony Joshua vitin e ardhshëm. Eddie Hearn, promotori i Joshua, bëri thirrje që dueli me Usyk të anulohej në mënyrë që “Mbreti Cigan” të mund të përballej me Joshua.
“Harroje Fury vs Usyk, askush nuk është i interesuar. Ne duam Fury vs Joshua, pasi do të eliminojë Fury brenda gjashtë raundeve. Organizojeni duelin, përndryshe nuk do ta arrijmë kurrë”, tha ai për kanalin e Matchroom në YouTube.
Frank Warren, menaxheri i Fury është i bindur se luftëtari i tij do të respektojë angazhimin e tij për t’u përballur me Usyk në radhë. “Harrojeni këtë duel me Joshua. Ai nuk donte ta luftonte dhjetorin e kaluar. Ne bëmë ofertën. Kështu që ju e dini se ku është ai tani. Ai është në fund të asaj radhe të gjatë”, tha Warren.
“Ata nuk ishin të interesuar të luftonin për një titull botëror, pasi luftuan dy herë kundër Usyk dhe u mundën dy herë. Ai nuk donte të luftonte për një titull botëror, përndryshe do ta kishte shfrytëzuar këtë mundësi kur t’i ofrohej”, tha më tej menaxheri i Fury. Warren u shpreh se faji do të jetë plotësisht mbi supet e ekipit të Joshuas nëse lufta me Fury dështon të materializohet në të ardhmen. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne nuk do të kemi asnjë keqardhje nga ana jonë, sepse ne bëmë ofertat që dueli të ndodhë. Ata nuk donin, pra është faji i tyre”. /Telesport/