Nuk ka fitues në ndeshjen Napoli – PSG
Ndeshja e luajtur në “San Paolo”, ashtu si ajo e luajtur në “Parkun e Princave”, ka qenë e luftuar.
Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në fundin e pjesës së parë dhe është realizuar nga ish-lojtari i Bayern Munich, Bernat, i cili ka marrë një pasim të bukur nga Mbappe dhe ka dërguar topin në rrjetë me një goditje nga brenda zonës.
Napoli ka qenë më këmbëngulës në pjesën e dytë, me tentativat e lojtarëve të Ancelotti-t që janë ndalur nga një Buffon në formë shumë të mirë.
Ish-numri një i Juventus ka qenë protagonist edhe në minutën e 62-të, por këtë herë duke shkaktuar një penallti, që është transformuar në gol nga Insigne. Pesë minuta para fundit të ndeshjes, Mbappe ka shpërdoruar një rast të pastër për t’i dhuruar fitoren dhe vendin e parë në renditje PSG-së, me gjuajtjen e tij brenda zonës së rreptësisë që ka përfunduar pak centimetra larg shtyllës së majtë.
Barazimi 1-1 ka rezistuar deri në fund, teksa gjithçka mbetet hapur në Grupin C. 28 nëntorin e ardhshëm, Napoli do të presë në shtëpi Crvena Zvezda-n, ndërsa Liverpool do të luajë në fushën e PSG-së.