“Nuk ka gjasa për luftë në Lindjen e Mesme”, gjenerali amerikan: Irani i vetmi rrezik imediat për Izraelin
Rreziku i një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme është zbutur disi pasi Izraeli dhe Hezbollahu nuk kanë çuar në përshkallëzim të situatës. Kështu ka theksuar, gjenerali i lartë amerikan Charles Brown. Por sipas gjeneralit amerikan Irani ende paraqet një rrezik të madh.
Brown vuri në dukje për Reuters se sulmi i Hezbollahut ishte vetëm një nga dy sulmet kryesore kundër Izraelit që u shfaqën javët e fundit. Irani po kërcënon gjithashtu një sulm për vrasjen e një udhëheqësi të Hamasit në Teheran muajin e kaluar. I pyetur nëse rreziku i menjëhershëm i një lufte rajonale kishte rënë, Brown tha: “Ka rënë disi. Kishit dy gjëra që e dinit se do të ndodhnin. Njëra tashmë ka ndodhur. Tani varet se si do të luhet e dyta”, tha Brown.
Brown paralajmëroi gjithashtu se ekzistonte rreziku i paraqitur nga aleatët militantë të Iranit në vende të tilla si Iraku, Siria dhe Jordania, të cilët kanë sulmuar trupat amerikane, si dhe Houthit e Jemenit, të cilët kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq dhe madje kanë gjuajtur dronë në Izrael, raporton A2 CNN.
Irani është zotuar për një përgjigje të ashpër ndaj vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, e cila ndodhi teksa ai vizitoi Teheranin në fund të muajit të kaluar dhe për të cilën fajësoi Izraelin. Izraeli nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij.
Ndërkohë, Izraeli ka bërë të ditur se ka arritur të shpëtojë një nga pengjet të cilët mbaheshin nga organizata militante e Hamasit. Kaid Farhan Alkadi, ishte marrë peng më 7 tetor, pas një “operacioni kompleks” në jug të Gazës. Autoritetet e Izraelit thanë se gjendja e tij shëndetësore ishte normale.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu foli në telefon me pengun e liruar. “I gjithë kombi i Izraelit është i emocionuar nga shpëtimi i tij”, tha kryeministri. Netanyahu tha se do të “vazhdojë të bëjë gjithçka që është e mundur për të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi”.
Ditët e fundit, Izraeli ka lëshuar disa urdhra evakuimi në të gjithë Gazën, që nga fillimi i luftës 10-mujore, duke shkaktuar një protestë nga palestinezët, Kombet e Bashkuara dhe zyrtarët e ndihmës për reduktimin e zonave humanitare dhe mungesën e zonave të sigurta.