Nuk ka marrëveshje për reformën zgjedhore në Shqipëri
Reforma zgjedhore në Shqipëri nuk është arritur që të mbyllet brenda datës së diel, për shkak se palët politike nuk kanë gjetur rrugën e marrëveshjes.
Pas rreth katër orësh, palët, edhe pse kishin rënë dakord që reforma të mbyllej të dielën, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Ndërkohë Këshilli Politik do të vazhdojë mbledhjet pas 31 majit ku e radhës pritet të jetë të hënën.
Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi ka bërë me dije pikat ku nuk kanë gjetur një konsensus.
“Opozita ofroi konsensus. Por PS nuk ishte e gatshme duke synuar që të mbajë një proces zgjedhor si 30 qershori. Opozita nuk heq dorë për garancitë e votës. Jemi të gatshëm për të vazhduar punën dhe presim që PS të bëjë hapat e parë”, ka deklaruar Bylykbashi, raporton “TCh”.
“Nuk është çështje pazaresh politike. Bëhet fjalë për themelin e votës. Kjo do të thotë të rrisësh garancitë minimale në proces. Propozimet nuk sigurojnë asnjë privilegj për opozitën vetëm barazi. Kjo është dhe mbetet qëndrim parimor i cili nuk ka mundësi të negociohet. Në plotësojmë një kusht të rëndësishëm të BE”, ka thënë ai.
“Të gjitha përpjekjet e PS që të mbajë privilegjet dhe të mos heq dorë nga komisionet dhe kontrolli i KQZ-së, tregojnë vlerën e qëndrimeve të opozitës. Boshllëqet që ata kërkojnë të krijojnë janë të mëdha. Falënderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtar për kompromis. Janë privilegje të qeverisë mbi procesin zgjedhor dhe është e papranueshme. Jemi të gatshëm për zgjidhje me kompromis”, ka shtuar Bylykbashi.