Nuk kalon mocioni procedural për votimin e anëtarëve të KShC-së
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që me mocion procedural të votohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), por i njëjti nuk ka marrë votat e mjaftueshme që të futet në rend të ditës në seancën e sotme.
Votimin e këtij mocioni e kanë kundërshtuar deputetët e partive opozitare. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria Kurti të propozojë profesionistë në këtë këshill, dhe nipat t’i lë për ahengje, ashtu siç deklaronte dikur Albin Kurti sa ishte në opozitë.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka kundërshtuar një mocion të tillë.
“Ne s’e kemi asnjë material, sdijmë gjë për këtë punë. Kërkohet që të futet në mënyrë urgjente sepse nipi nuk e ka marrë rrogën hala. Shpërndani materialet për deputetë, le të përgatitemi dhe me votë le të vendoset në Kuvend”, ka thënë Gashi.
Gjithashtu edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka kundërshtuar një mocion të tillë.
Kujtojmë se për këtë këshill qeveria e Kosovës ka propozuar nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit.