Nuk kalon rezoluta për rritjen e shtesave nga pakoja anti-Covid

20 maj 2021 | 17:14

Me 22 vota për, 56 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi nuk e ka miratuar rezolutën e propozuar nga AAK-ja për rishqyrtimin e vendimit të qeverisë për uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

Për këtë, deputetët kanë ftuar të enjten në Interpelancë ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Opozita e ka kritikuar qeverinë Kurti për ndalimin e shtesave për skemat sociale duke kërkuar që ky vendim të ndryshohet.

Ministri Murati para deputetëve ka thënë se të thuhet se ka pasur zbritje të shtesave është një gabim logjik. “Të thuhet se ka pasur zbritje do të duhej të nënkuptonte se ka pasur një vendim për shtesa për muajin prill. Sa kanë qenë të parapara shtesat për muajin prill? Vendimin që e kam flet për janar shkurt dhe mars. Të thuhet se ka pasur zbritje të shtesave është gabim logjik, sepse në muajin prill nuk ka pasur shtesa. A është kjo me të vërtetë brengë reale e opozitës apo është populizëm”, ka thënë Murati.

Propozuesi i interpelancës, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka propozuar një rezolutë që shtesat për këto kategori të kthehen në shumën e njëjtë paraprake.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti për shtesat për skemat pensionale dhe sociale, personelin shëndetësor dhe zyrtarët policorë është vendimi më skandaloz, përmes të cilit ka shpërfillur dhe injoruar shëndetin dhe mirëqenien e 150 mijë pensionistëve, mbi 13 mijë staf profesionalë shëndetësorë që qëndrojnë çdo ditë në vijën e parë të frontit me pandeminë Covid-19 dhe 9,911 policë dhe staf tjetër të sigurisë, që për çdo ditë merren me sigurinë publike, e që në mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre. A duhet të ishte ky një ndër vendimet para të Qeverisë Kurti? Sigurisht që jo! Prandaj, i rekomandoj Qeverisë së Kosovës, që vendimet për mosvazhdimin e financimit të shtesave, veçanërisht për këto tri kategori, janë shumë e rëndësishme të anulohen dhe të nxirren vendime që e vazhdojnë financimin e tyre dhe e sheh mundësinë e rritjes së shtesave fillimisht për këto kategori”, ka thënë Tahiri para votimit të kësaj rezolute e cila nuk mori përkrahjen e deputetëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta e njohur amerikane “New York Times” ka zbuluar disa…