Nuk lejojmë që të tjetërsohet vullneti i 42 mijë qytetarëve
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate dhe ish-kandidati për deputet, Zafir Berisha, ka kritikuar procesin zgjedhor të 6 tetorit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se këto zgjedhje kanë qenë më jokorrekte dhe më të manipuluara se ato të vitit 2010.
“Fushata dhe organizimi i zgjedhjeve fillimisht ka qenë i mirë nga dukja e jashtme, mirëpo me përmbylljen e procesit u pa që ka pasur segmente të caktuara të cilat kanë punuar që këto zgjedhje të jenë më jokorrekte dhe më të manipuluara sesa zgjedhjet e vitit 2010, duke përfshirë edhe këto të ashtuquajturat gabime teknike, por edhe njerëzit e porositur brenda organizimit të komisionarëve të cilët po del se me qëllim kanë manipuluar votën e qytetarëve. Prandaj, mund të them se zgjedhjet e 6 tetorit janë nul dhe pasojat e këtyre zgjedhjeve kanë me qenë shumë më të mëdha sesa që mendohen”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se Nisma e ka kaluar pragun, por grupet mafioze me votat e kontrabanduara dhe të kundërligjshme të Vuçiqit dhe të Daçiqit po duan ta lënë jashtë Kuvendit.
Por, sipas Berishës, një gjë e tillë nuk do të ndodhë meqë do t’i ndjekin të gjitha procedurat ligjore deri në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të mos tjetërsohet vullneti i më shumë se 42 mijë qytetarëve.
“Ne veçse e kemi dorëzuar ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe varësisht prej rrethanave do t’i ndjekim procedurat deri në Gjykatën Kushtetuese pasi që e drejta e qytetarit për votë është kategori kushtetuese dhe natyrisht se nuk mund t’ua lëmë individëve dhe segmenteve të caktuara ta tjetërsojnë vullnetin e më shumë se 42 mijë qytetarëve. E vërteta duhet të dalë në shesh. Shpresojmë se, megjithatë, në këtë drejtësi të lodhur dhe të kapur të Kosovës duhet të ketë pak drejtësi”, ka theksuar Berisha. Ai ka folur edhe për formimin e qeverisë LV-LDK, për të cilën ka thënë se do të jetë skandaloze. Megjithatë, Berisha ka shprehur skepticizëm se do të mund të formohet koalicioni qeverisës nga këto dy parti.
“Epoka e re”: Z. Berisha, çfarë mendimi keni për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit?
Berisha: Fushata dhe organizimi i zgjedhjeve fillimisht ka qenë i mirë nga dukja e jashtme, mirëpo me përmbylljen e procesit u pa që ka pasur segmente të caktuara të cilat kanë punuar që këto zgjedhje të jenë më jokorrekte dhe më të manipuluara sesa zgjedhjet e vitit 2010. Duke përfshirë edhe këto të ashtuquajturat gabime teknike, por edhe njerëzit e porositur brenda organizimit të komisionarëve të cilët po del se me qëllim kanë manipuluar votën e qytetarëve. Prandaj mund të them se zgjedhjet e 6 tetorit janë nul dhe pasojat e këtyre zgjedhjeve do të jenë shumë më të mëdha sesa që mendohen.
“Epoka e re”: Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Nisma nuk e kaloi pragun.
Berisha: Nisma Socialdemokrate është dëmtuar, prandaj ky proces zgjedhor i ka ‘meritat’ që Nisma të jetë në këtë situatë. Nisma e ka kaluar pragun, por grupet mafioze që janë brenda institucioneve me votat e kontrabanduara dhe të kundërligjshme të Vuçiqit dhe të Daçiqit po duan ta shfrytëzojnë rastin që ta lënë jashtë Kuvendit, që nuk besoj se do të ndodhë sepse ka një shpresë që në kthinat e drejtësisë së Kosovës ka, megjithatë, drejtësi.
“Epoka e re”: Nëse betejën do ta vazhdoni deri në Gjykatën Kushtetuese, besoni në një vendim të favorshëm për Nismën?
Berisha: Ne veçse e kemi dorëzuar ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe varësisht prej rrethanave do t’i ndjekim procedurat deri në Gjykatën Kushtetuese pasi që e drejta e qytetarit për votë është kategori kushtetuese dhe natyrisht se nuk mund t’ua lëmë individëve dhe segmenteve të caktuara ta tjetërsojnë vullnetin e më shumë se 42 mijë qytetarëve. E vërteta duhet të dalë në shesh. Shpresojmë se, megjithatë, në këtë drejtësi të lodhur dhe të kapur të Kosovës duhet të ketë pak drejtësi. Më herët të njëjtat segmente që po duan ta eliminojnë Nismën kanë tentuar të më eliminojnë mua, por Gjykata Supreme pati vendosur në favor të drejtësisë. Duke u nisur nga kjo, edhe në rastin aktual të Nismës gjykata do të vendosë drejt dhe votat kriminale të Serbisë që kanë ardhur të paketuara do të anulohen. Edhe për faktin se kjo nuk duhet të krijohet si praktikë sepse dëmtohet demokracia në vend. Befasuese është heshtja e klasës politike injorante e Vetëvendosjes ndaj votave të Vuçiqit të cilat kanë helmuar rreth 30 zyrtarë të KQZ-së. Por Vetëvendosje ishte në gjendje të bëjë gjithçka edhe për votat e padrejta dhe të falsifikuara të diasporës të cilat edhe përmes videoincizimeve janë parë se si kanë ardhur. Sidoqoftë, është mirë që pafytyrësia e këtyre po shihet ende pa ardhur në pushtet dhe për fatin e keq të Kosovës paralajmëron një situatë shumë të rendë për të ardhmen.
“Epoka e re”: Si do të jetë funksionimi i Nismës qoftë brenda apo jashtë Kuvendit pas vendimit eventual të Kushtetueses?
Berisha: Nisma Socialdemokrate natyrisht se do ta vazhdojë angazhimin e vet dhe në Kuvend do të jetë opozitë. Pas raporteve që do t’i marrim nga kryetarët e degëve, varësisht prej tyre do të bëjmë një riorganizim për betejat e ardhshme politike.
“Epoka e re”: Në opinion po flitet për mundësinë e bashkimit të Nismës me ndonjë subjekt tjetër ose edhe shuarjen e saj. Ka gjasa të ndodhë diçka e tillë?
Berisha: Jo, nuk do të ndodhë asnjëra. Me muhalifet e kafeneve nuk merremi. Natyrisht lufta speciale që është zhvilluar para fushatës, e veçanërisht gjatë fushatës, ka sjellë një dobësim, jo shuarje, në asnjë mënyrë.
“Epoka e re”: Do ta vazhdoni angazhimin në Nisma nëse kjo e fundit përfundimisht mbetet jashtë Kuvendit?
Berisha: Është apo nuk është pjesë e Kuvendit Nisma, unë edhe më fuqishëm se deri më tani do të angazhohem sepse jam i bindur në përfaqësimin tim politik dhe natyrisht se nuk do të heq dorë në asnjë çast.
“Epoka e re”: Z. Berisha, si e shihni qeverinë e ardhshme LV-LDK?
Berisha: Skandaloze, skandaloze! Paraprakisht Albini duhet të tregojë për Isa Mustafën a është argat i Serbisë? Duhet të tregojë se djemtë e Isa Mustafës a vazhdojnë ta kenë biznesin me Serbinë? Po u referohem deklaratave dhe qëndrimeve të tyre. Nëse vazhdojnë të heshtin këta infantilë politikë, e kanë mashtruar qytetarin e padijshëm, për fatin e keq të Kosovës dhe, thjesht, kanë krijuar një kauzë të rrejshme për të ardhur në pushtet. Kjo do të jetë një kohë shumë e rëndë për Kosovën sepse do të përballet me një situatë tepër delikate, veçanërisht në raport me Serbinë. E dimë se me Serbinë që 20 vjet kemi armëpushim dhe e kemi çështjen e papërfunduar, prandaj këta njerëz të pafytyrë e të pa dinjitet është problem të vendosin në favor të kauzës së vërtetë të qytetarëve të Kosovës. Dëshmitë tashmë janë të shënuara, se brenda ditës tri herë ndryshojnë qëndrimet e lëre më nëse janë në pushtet se çfarë mund të bëjnë.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej dallimeve dhe të kaluarës së keqe që kanë pasur këto dy parti, do të mund të bëjë diçka të mirë për vendin koalicioni LV-LDK?
Berisha: Dallimet e mëdha që kanë pasur dhe kanë këto parti lënë të kuptojmë se nuk do të bëjnë diçka të mirë për vendin, nëse arrijnë ta bëjnë qeverinë, natyrisht. Sepse edhe arritja e koalicionit nuk besoj se do të ndodhë.
“Epoka e re”: Z. Berisha, gjatë këtyre ditëve Gjykata Speciale ka qenë shumë aktive në dërgimin e ftesave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Një ftesë e tillë së fundi i ka ardhur edhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli. Si e shihni ballafaqimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së me këtë gjykatë?
Berisha: Siç e kam thënë që nga fillimi, Gjykata Speciale e dëmton të kaluarën e Kosovës dhe është gjykatë e njëanshme, që gjykon luftën e drejtë të UÇK-së. Gjykata Speciale ka ardhur si rezultat i raportit të Dick Martit i cili burimet dhe faktet i dorëzon në Serbi dhe në Rusi. Këto fakte tregojnë se kjo gjykatë ka për qëllim që t’i dëmtojë njerëzit e UÇK-së të cilët kanë bërë gjithçka për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Në anën tjetër, këtë gjykatë po e shfrytëzojnë për poenë politikë një pjesë e njerëzve të pafytyrë, pa dinjitet dhe të pakurrizorë. Megjithatë, unë mendoj se e vërteta do të dalë në shesh për atë UÇK-në që ka luftuar deri më 12 qershor të vitit 1999, jo për atë UÇK-në që i ka blerë uniformat nga 20 marka në Shqipëri dhe ka ardhur në Kosovë kur ushtria e Serbisë ka shkuar në Nish.
Shqipe HETEMI