Nuk mbahet seanca ndaj zyrtarit që akuzohet se përvetësoi 159 kg metal të çmueshëm
Seanca e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Mitrovicës në rastin e zyrtarit të kombinatit Trepça, Zhivorad Millutinoviq, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka dështuar.
Millutinoviq nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se nga dhjetori i vitit 2008 deri në maj të vitit 2009, në cilësinë e kryepunëtorit të trezorit në KXMK “Trepça” në Zveçan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar 159,298 kg metal të çmueshëm, argjend i pastër 99.9%, ku vlera e tregut arrin në 40.000 euro.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari këtë vepër e kishte kryer duke e shfrytëzuar çelësin i cili i është besuar në bazë të detyrës, kohë pas kohe ka marrë argjend dhe pastaj atë sasi e kishte shitur dhe paratë e fituara i ka shfrytëzuar për nevojat e tij.
Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.
Ndërsa seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të kërkesës së përfaqësueses së “Trepçës”, Liljana Lumoviq.
Lumoviq kërkoi nga trupi gjykues që kjo seancë të shtyhej pasi që siç tha ajo nuk kishte pranuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtësit të të pandehurit, madje as aktgjykimin e shkallës së dytë. “Andaj kërkoj që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër në mënyrë që të më dorëzohen shkresat”, deklaroi Lumoviq.
Pasi që nuk pat kundërshtime as nga prokurori Njazi Rexha dhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ljubomir Pantoviq, ky propozim u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili. Seanca u shty për më 13 nëntor.
Ndryshe Gjykata Themelore në Mitrovicë më 24 prill 2017 të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Millutinoviq ishte dënuar me 3 vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë.
Njëherësh, Gjykata e ka obliguar të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq që palës së dëmtuar t’ia kompensojë dëmin në lartësi prej 40.000 euro.
Por, më 20 korrik 2017, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sipas vendimit të Apelit, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, është gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo sipas vendimit ndërlidhet edhe me vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike./ JnK