Nuk miratohet Projektligji për shëndetësinë, Zemaj kritikon MSh-në
Projektligji për shëndetësi, i propozuar nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nuk ka marrë përkrahje në parim nga deputetët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Zemaj ka thënë se ky projektligj do të rregullonte disa çështje të shëndetësisë dhe se është i nevojshëm pasi sipas tij, që dy vjet nuk ka asnjë nismë nga qeveria.
“Ne kemi propozuar projektligj që ka qenë gjatë i konsultuar dhe nuk kemi ligj të ri në sektorin e shëndetësisë. Projektligji përbëhet prej 128 neneve. Propozon sistem funksional të zbatueshëm, bën të zbatueshëm sistemin dytësor shëndetësor, barazon sistemin publiko-privat, rregullon orarin e shërbimit në vend, përcakton profilet e profesionistëve. Unë mund t’iu sjellë edhe dokumentacione se nga kanë ardhur propozime dhe ligj të ri për shëndetësi”.
“Po hyjmë në vitin e dytë që nuk kemi iniciativë nga ministria dhe qeveria. Çdo draft tjetër që vjen mund të ketë vetëm ndërhyrje periferike që ka për t’i mbrojtur interesat e njerëzve qoftë në bordin spitalor. Kërkoj përkrahje për jetë projektligj. Le ta merr qeveria le ta bëjë produkt të vetin”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, ka thënë se e përkrah këtë iniciativë sepse sistemi i shëndetësisë ka nevojë për reformim.
Në anën tjetër, deputeti i PDK, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë (MSh) për ngecje si dhe deputetët që e kanë refuzuar projektligjin.