Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi baza etnike

07 nëntor 2021 | 11:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për DW ka folur për Asociacionin e Komunave Serbe, rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe për “Open Balkan” ndaj të cilit është kategorisht kundër.

“Në vitin 2013 duhet ta keni parasysh që ka pasur një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për ta kaluar shpejt e shpejt atë marrëveshje parimore dhe ka munguar transparenca, nuk ka pasur informim të duhur. Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshje, ndërsa sot ata tre vetë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare”.

“E dyta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që i ka bërë përmbajtjes së vitit 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e vitit 2013. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm germa e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjashëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi dëshiron ngjashëm edhe në Kosovë që të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion dhe kjo të jetë brenda Kosovës që quhet Republikë por nuk do të jetë shtet. Pra në kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e kemi studiuar dhe analizuar saktë Beogradin përveҫ se e njohim mirë nga përvoja jonë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i…