Nuk na duhen tensione në Ballkan, Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë
Në prag të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë.
Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, në prag të samitit të NATO-s, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
“Fokusi ynë është që të dy palët të zbatojnë atë që kanë premtuar, veçanërisht në Beograd, por edhe në Kosovë”, tha zyrtari, duke pasur parasysh planin franko-gjerman dhe dakordimin për të në shkurt dhe mars të këtij viti.
“Hapi tjetër është që të dyja palët të jenë të pranishme në bisedimet e udhëhequra nga BE dhe me pas të negociojnë në mënyrë konstruktive për ‘Asociacionin e Komunave me shumicë serbe’”.
Në fokus kryesor të samitit të NATO-s do të jetë mbështetja për Ukrainën, por sigurisht që çështja e Kosovës dhe siguria në Ballkan do të jenë temë bisedimesh.
“Unë besoj se ky samit është një mundësi e mirë për të gjithë për të kujtuar situatën gjeopolitike: Rusia e ka kthyer luftën përsëri në Evropë dhe për rrjedhojë NATO po rrit aftësinë e saj mbrojtëse. “Ajo që me të vërtetë nuk na duhet tani është, që në këtë situatë shumë të tensionuar gjeopolitike të kemi në Ballkan tensione të tilla që besojmë se janë të evitueshme”, tha zyrtari.
Në shkëmbim intensiv me kryeministrin e Shqipërisë
Paralajmërimin e mëparshëm bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se nëse Kosova vijon të vetëizolohet, duke mos përmbushur kërkesat e BE-së, mund të krijohet një “republikë e KFOR-it”, zyrtari tha “se këto vizione të kryeministrit të Shqipërisë janë shumë të largëta”.
Por ai pranoi se kancelari gjerman “është në shkëmbim intensiv me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjet e përgjithshme të stabilitetit në Ballkan”.
Nga ana tjetër, ai bëri thirrje për implementim të marrëveshje së Ohrit: “Është vërtet koha që të gjitha palët e përfshira të zbatojnë atë për çka është rënë dakord. Nëse e bëjnë këtë – dhe sipas nesh nuk ka asgjë që i pengon – nuk ka nevojë për përsiatje të tilla”, tha zyrtari duke iu referuar deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Sanksione edhe ndaj Beogradit
Gjermania e rriti javën e kaluar presionin ndaj Kosovës duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës.