Nuk ndalet Brooklyni, fiton edhe Dallasi

14 mars 2021 | 13:12

Fitorja e katërt radhazi për Brooklyn Nets në NBA. Skuadra nju-jorkeze vazhdoi ecurinë pozitive duke mposhtur dhe Detroit Pistons me rezultatin 100-95.

Më i miri mbi parket për Brooklyn ishte një nga tre fantastikët, pikërisht James Harden i cili shkëlqeu me një triple-double duke koleksionuar në total 24 pikë 10 rebound dhe 10 asistimee. Për Nets kjo ishte fitorja e 26-të në 39 takime me Brooklyn që vazhdon të ushtrojë presion ndaj Philadelphias për vendin e parë në Lindje. Po kalon një moment të mirë në NBA edhe Dallas Mavericks që mori fitoren e 7-të në 9 ndeshjet e fundit falë triumfit 116-103 ndaj Denver Nuggets brenda në Colorado.

Denverit nuk i mjaftuan 26 pikë 8 rebound dhe 11 asistime nga Nikola Jokiq për të evituar humbjen ndërkohë që te Dallas dy më të mirët rezultuan dy të përhershmit, Kristaps Porzingis dhe Luka Donqiq të cilët së bashku realizuan 46 pikë në total. Po ecën me hapa gjigantë në konferencën e Lindjes edhe Atlanta Hawks që mori një tjetër fitore pasi mposhti pa shumë vështirësi Sacramento Kings me rezultatin 121-106. Trae Young me 28 pikë dhe 9 asistime ishte ai që udhëhoqi skuadrën nga Georgia drejt fitores së 4-t radhazi, ndërkohë që Sacramento pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të Fox i cili realizoi 32 pikë, nuk arriti të shmangte humbjen numër 23 në këtë sezon. Spikat edhe fitorja e Milwaukee Bucks me rezultatin 125-119 në transfertën kryeqytetase ndaj Washington Wizards.

Rusell Westbrook bëri një figurë të shkëlqyer në këtë ndeshje duke koleksionuar një tjetër triple-double në karrierë me 42 pikë 10 rebound dhe 12 asistime por në fund buzëqeshi Giannis Antetokounmpo i cili gjithashtu arriti shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës duke e mbyllur ndeshjen me 33 pikë 11 rebound dhe 11 asistime. /SS/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e dashur për publikun, Dafina Zeqiri, prej kohësh bashkëpunon…