
Nuk ndalet Trump: Zelensky e Putin, të bëhen bashkë! Ne do ti marrim mineralet
Donald Trump befasoi me një tjetër pohim të papritur, teksa deklaroi se Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin do të duhet “të bëhen bashkë” për t’i dhënë fund luftës3-vjeçare në Ukrainë.
“Mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelensky do të duhet të bëhen bashkë. Sepse, a e dini çfarë? Ne duam t’iu japim fund vrasjeve të miliona njerëzve. Mendoj se kemi shanse për të arritur marrëveshjen. Më është dashur të sigurohem që edhe Rusia e dëshiron një gjë të tillë”, tha presidenti amerikan.
Me këtë pohim, Trump iu referua takimit të shumëdiskutuar mbi fundin e konfliktit të Ukrainës, që u mbajt këtë javë mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Riad të Arabisë Saudite. Trump sqaroi po ashtu se nuk do të shkojë në Moskë më 9 maj për të shënuar përvjetorin e dhënies fund të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara janë shumë pranë firmosjes së marrëveshjes për mineralet e Ukrainës.
“Jemi shumë pranë nënshkrimit, dhe mendoj se këtë ujdi e duan edhe ata vetë. Është e rëndësishme, është marrëveshje e madhe”, vijoi Trump.
Tre burime anonime, të afërta me zhvillimet, pohuan për agjencinë e lajmeve Reuters, se në diskutimet e marrëveshjes së mineraleve, Uashingtoni ka përdorur si argument edhe mundësinë e tërheqjes së sistemit Starlink të Elon Muskut, mbi Ukrainë, nëse nuk arrihet një kompromis. Edhe pse ka Ukraina ka rezerva të vyera mineralesh të rralla si uranium e titani, ajo vetë nuk ka aftësi përpunuese për to, dhe nuk i ka prodhuar më prej dekadash.