‘Nuk po na kërkon Vuçiqi dhe Serbia në Bruksel, por po na kërkon në Hagë, z. kryeministër!’
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, përmes një shkrimi në “Facebook” me titull: “Nuk po na kërkon Vuçiqi & Serbia në Bruksel, por po na kërkon në Hagë, z. kryeministër!”, ka thënë se situata me veprimtarinë e Gjykatës Speciale po bëhet edhe më serioze.
Ajo ka theksuar se nga padrejtësia, si një formacion i rënduar mbi çlirimtarët në radhë të parë, e pastaj te qytetarët dhe shteti në tërësi, ka kaluar në përndjekje.
“Tërë javës pamë përndjekje, madje edhe të ish këshilltarëve të çlirimtarëve. Tërë javës pamë seanca gjyqësore, që shpalosnin dosje të ziera nga kuzhinat e Vuçiqit dhe prokurorisë së Serbisë. Pikërisht dje u arrestua komandanti i zonës së Malishevës, Isni Kilaj. Për ironi, me të qeshur nëpërdhëmbësh dhe sytë e drejtuar kah Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Kurti në Kuvend po bërtiste: ‘Po ju kërkon Vuçiqi!’. Gjuha e tij antikombëtare në kuvend është e papranueshme”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ismaili ka thënë se gjuha e përbashkët që do të duhej ta kishte kryeministri dhe qeveria e tij dje do të duhej të ishte kundër veprimeve të Speciales, që janë kryekëput veprime të padrejta.
“Do të duhej të ishte kundër Vuçiqit dhe Serbisë që nuk heqin dorë nga shpifjet dhe nuk po heqin dorë së kërkuari që gjithë çlirimtarët të përndiqen e të dënohen në Hagë. Sepse, realiteti po e tregon çdo ditë dhe historia do ta dëshmojë se, Vuçiqi po e kërkon Partinë Demokratike të Kosovës, si pasardhësen kryesore të UÇK-së, në Hagë, nuk po e kërkon në Bruksel! Në Bruksel, për fatkeqësinë e Kosovës, Vuçiqi dhe Serbia, si dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare, e kanë pikërisht atë që deshtën ta kishin, e që nuk do të gjenin dot një më të mirë: Albin Kurtin & co”, ka shkruar ish-deputetja Ismaili.