Nuk po nxitohemi për qeveri, e presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese

02 maj 2020 | 08:07

Muharrem Sfarqa nga LDK-ja ka thënë se janë të bindur se tentimi i tyre për të krijuar një qeveri të re do të rezultojë me sukses pas 29 majit, kur edhe skadon pezullimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçit për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Megjithatë, ai tha se LDK-ja ka respektuar vazhdimisht aktgjykimet e Kushtetueses dhe njëjtë do të bëjë edhe këtë herë.

“LDK-ja edhe para njoftimit për pezullimin ka qenë e vendosur që të respektojë çfarëdo vendimi që bie Gjykata Kushtetuese. LDK-ja konform dekretit që ka shpallur presidenti ka propozuar kandidatin për kryeministër dhe ka përfunduar marrëveshjet e koalicionit. Nënshkrimi i 61 deputetëve ka treguar që LDK-ja i ka votat për krijimin e qeverisë së re, por do të presë deri në vendimin përfundimtar të GJK-së”, ka thënë ai.

Sfarqa në Klan Kosova ka treguar se nuk kanë asnjë arsye për t’u nxituar derisa shprehet i bindur se janë në të drejtë të Kushtetutës për të formuar qeverinë në krye me Hotin. “Ne s’kemi asnjë arsye për të pasur një nxitim eventual. Gjykata Kushtetuese konform dinamikës së vet dhe kompetencave që ka do ta vlerësojë se kur do ta marrë vendimin përfundimtar që të sugjerojë apo predikojë se si do të jetë vendimi. Kosova ka nevojë për qeveri të re dhe më të gjerë, me synime për lëvizje të lirë, për integrim në BE në mënyrë që të bëhet edhe pranimi i Kosovës edhe në OKB”, ka thënë Sfarqa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dioni (12) dhe Ledioni (10), dy futbollistët e para kosovarë…