Nuk po shoh vendosmëri për zgjidhjen e çështjeve të mëdha
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj për mosgatishmëri për t’u përballur me tema të mëdha si demarkacioni, asociacioni dhe formimi i ushtrisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se nga kjo Qeveri nuk po sheh seriozitet e as vendosmëri për zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Tahiri ka bërë thirrje të përshpejtohet integrimi evropian i Kosovës në BE dhe NATO si dhe të lobohet për njohje të reja.
Ish-ministrja për Dialog ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar në çdo kohë delegacionin e ri të Qeverisë për bisedimet në Bruksel.
Ajo ka sugjeruar që gjatë dialogut me palën serbe çdoherë t’u referohen dokumenteve shtetërore të Kosovës dhe të mos dalin jashtë platformës shtetërore.
Tahiri ka theksuar se vetëm njohja reciproke në mes të dy shteteve sjell paqe dhe stabilitet në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)