![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/08/tema-per-dialogun.jpg)
Nuk priten rezultate nga raundi i ri i dialogut Kosovë – Serbi
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi nuk presin ndonjë rezultat konkret nga raundi i ri i bisedimeve teknike që do të mbahen të martën dhe të mërkurën në Bruksel. Përfaqësuesit e shoqërisë civile që e kanë përcjellë këtë proces kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se edhe në takimin e radhës palët do të vazhdojnë me mospajtime dhe pozicione diametralisht të kundërta për çështjet e hapura deri më tani. Sipas tyre, dinamika e dialogut të Brukselit do të varet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Muhamet KOCI
Bashkimi Evropian ka bërë me dije se raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të fillojë sot (e martë).
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka deklaruar të hënën se në këtë raund të bisedimeve teknike do të diskutohet për çështjet e hapura dhe hapat e të ardhshëm në dialog. Pavarësisht prej agjendës së BE-së, njohësit e këtij procesi në vend nuk kanë pritje të mëdha nga takimi i radhës në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Arbër Fetahu, hulumtues nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk pritet ndonjë zhbllokim i këtij procesi në këtë raund. “Marrë parasysh rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi, sidomos të raundeve të fundit, pritjet e mia për një zhbllokim tutje të procesit janë minimale. Pa dashur ta paragjykoj plotësisht raundin e ri të bisedimeve, por disa hipoteza edhe mund t’i ngrehim. Hipotezat e mia janë që të dyja palët do të vazhdojnë me mospajtime dhe pozicione diametralisht të kundërta”, ka thënë ai, duke përmendur kërkesat e palëve. “Tashmë dihet kërkesa e palës serbe e që është e papranueshme për palën e Kosovës: Themelimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive të komunave me shumicë serbe. Në anën tjetër, pala e Kosovës ka një varg kërkesash nga personat e pagjetur, njohja reciproke, marrëveshje e paqes e tuje, që tashmë i ka parashtruar dhe që nuk ka marrë përgjigje nga pala e kundërt. Besoj se në këtë situatë nuk duhet pasur stepje prapa nga qëndrimet fillestare, pasi në njëfarë forme kërkesat e kanë shpërfaqur edhe strategjinë e Qeverisë së Kosovës në këtë proces”, ka thënë Fetahu.
Ai nuk pret që të ndryshojë dinamika e këtij procesi. “Do të mbetet të shihet se a do të ketë një dinamizëm të ri në dialog. Besoj se kjo do të varet edhe nga insistimi i ndërmjetësuesit kryesor, Bashkimit Evropian, dhe ndikimit dhe përfshirjes së ShBA-së më aktivisht. Kompleksiteti i procesit dhe befasitë e shumta në raunde të ndryshme na bënë që të jemi më të rezervuar në gjykimin e procesit dhe hedhjes së hipotezave për të. Sidoqoftë, shikuar nga trajektorja e deritashme e takimeve të fundit, dinamizimi i procesit nuk duket shumë në horizont”, ka thënë Fetahu.
As Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nuk pret ndonjë rezultat nga ky raund i bisedimeve. “Po nesër pritet që të vazhdojnë takimet e dialogut në nivel teknik. Zakonisht formati i këtyre takimeve është që aty diskutohen apo propozohen temat që më pas do të diskutohen edhe në nivel politik mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Ende nuk është konfirmuar, por të pagjeturit pritet të jetë një nga temat që do të diskutohen në nivel teknik. Mund të ketë, po ashtu, diskutime mbi gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese”, ka thënë Haxholli për gazetën “Epoka e re”.
Ajo ka vlerësuar se përparimin në proces do të varet nga vullneti i palëve. “Natyrisht pritet që dinamika e dialogut të ndryshojë tani pas përfundimit të pushimeve. Megjithatë, se sa do të ketë progres në dialog varet nga vullneti i palëve. Por, nuk përjashtohet mundësia që të ketë bllokada në dialog herë pas here ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën”, është shprehur ajo.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, pret që edhe në këtë raund të shfaqen mospajtimet e thella në mes të palëve. “Përderisa dy takimet e para të nivelit të lartë kanë kaluar pa asnjë progres konkret, ku më shumë janë shfaqur mospajtimet e thella mes delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e njëjta mund të ndodhë edhe në takimin e radhës. Për dallim nga herët e kaluara, në këtë takim palët mund të hapin edhe temën e moratoriumit e cila temë në mënyrë publike u kërkua edhe nga administrata Biden javën e kaluar”, ka thënë ai për gazetën “Epoka e re”. Sipas tij, nga ky takim do të varet edhe zotësia e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. “Nëse nuk do të ketë lëvizje pozitive në këtë raund të ri të bisedimeve, mund të kontestohet edhe zotësia e lehtësuesit nga BE-ja, z. Lajçak, për të udhëhequr këtë proces. Para takimit të nivelit politik, sigurisht se do të varet nga takimi i nivelit teknik nesër dhe pasnesër, nëse do të ketë pajtim lidhur me temat që do të mund të jenë në tavolinën e bisedimeve në takimin në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiq. Mbetet të shihet se sa do të jetë në gjendje që zëvendëskryeministri Bislimi të mbrojë dhe dërgojë përpara pikat të cilat publikisht i ka kërkuar kryeministri Kurti në takimin e fundit në Bruksel”, ka thënë Miftaraj.
Të martën parashihet që të dy delegacionet të zhvillojnë bisedime dypalëshe me ndërmjetësin e BE-së për këtë proces, Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të tjerë të BE-së. Kurse ditën e dytë, të mërkurën, është planifikuar një takim trepalësh i Kosovës, Serbisë dhe ndërmjetësve të BE-së.