Nuk procedohet për në Kuvend Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta

25 korrik 2018 | 12:19

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka shqyrtuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, por procedimin e tij për në Kuvendin e Kosovës nuk ka mundur ta bëjë për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, ka paraqitur disa nga kërkesat dhe opinionet që i janë drejtuar nga institucione të ndryshme lidhur me këtë projektligj.

“Kemi rekomandimet nga SBAShK-u, nga GAP-i, nga Ministria e Financave, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Banka Botërore. Ajo çfarë është karakteristike është që SBAShK-u, thotë se ata që e shfrytëzojnë këtë beneficion të kenë 10 vite përvojë pune në këtë institucion. Nga Banka Botërore thuhet se ata nuk e konsiderojnë si mekanizëm të drejtë kompensimin retroaktiv përmes pensionit dhe konsiderojnë se ky projektligj mund ta dëmtojë sistemin fiskal, ndërsa përfaqësuesja e BE-së, Natylia Apostolova, ka thënë se ky ligj si i tillë nuk duhet të kalojë”, ka sqaruar Kurteshi.

Ndërsa, Alush Istogu, drejtor i Departamentit për Arsim Parauniversitar, ka thënë se Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta është duke u vonuar dhe se kërkesat janë aprovuar nga Ministria e Financave.

“Komisionet e grupeve punuese ka qenë gjithëpërfshirës. Është mirë që ka debat, por jemi duke u vonuar për këtë projektligj. Çështja e kostos buxhetore është obligative. Duhet me qenë një planifikim buxhetor nga institucionet përkatëse. Ne i kemi harmonizuar këto çështje, sepse kërkesat tona janë të harmonizuara me Ministrinë e Financave”, ka thënë Istogu.

Në anën tjetër, Mevlyde Shamolli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave, ka thënë se ky projektligj përbënë implikime buxhetore.

“Është bërë debat mjaft shumë për këtë vlerësim financiar. Numrat që i kemi rreth përfituesve jemi të gatshëm t’i dëshmojmë. Kemi thënë se ky ligj ka kosto të lartë buxhetore. Ne kemi thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk i ka të planifikuara këto mjete. Parashikimet tona janë brenda kornizës ligjore, por implikimet na qesin jashtë kornizave ligjore. Ky projektligj ka implikime. Unë nuk mund t’ju jap të drejtë 10 mijë përfituesve të kategorizuar, sepse nuk e di kush i ka 10 vjet përvojë. Këto pensione do ta qesin shtetin në minus. Po ashtu, ka laramani të madhe të këtyre përfituesve, duhet t’i ndajmë kategoritë në bazë të përvojës te punës”, ka thënë ajo.

/Epoka e re/A.Sh

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Greqi po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit, pasi së…