
“Nuk prodhoi energjinë e planifikuar” – Muharremi: Dështimet në KEK, arsyeja kryesore e shtrenjtimit të rrymës
Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se keqmenaxhimi në KEK janë shkaktari kryesor i propozimit për rritje të çmimit të energjisë.
Duke e komentuar propozimin e shtrenjtimit të rrymës, i cili do të filli se zbatuari nga muaj prill, ai ka vlerësuar se kërkimet nga studimet dhe analizat e raporteve të energjisë po sugjerojnë që shkaktari kryesor pse është propozuar rritja e tarifave të energjisë janë dështimet në KEK.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këtë faktor e kanë përdorur KESCO dhe KEDS në kërkesat e tyre në ZRrE për shtrenjtim të rrymës.
“Kërkimet nga studimet dhe analizat e raporteve të energjisë po sugjerojnë që shkaktari kryesor pse po propozohet rritja e tarifave të energjisë janë dështimet në/me KEK. Në diskursin publik nga ZRRE fokusi është vendosur te çmimet e larta të importeve, por ky nuk është shkaktari kryesor, sepse çmimet nuk kanë ndryshuar, madje janë më të ulëta sesa vite më parë. KESCO dhe KEDS po përdorin dështimin e KEK-ut për të prodhuar sasinë e parashikuar të energjisë si argument kryesor për rritjen e shpenzimeve të tyre. Po thuhet se “njësitë gjeneruese të KEK-ut nuk kanë qenë në dispozicion për të ofruar sasinë e planifikuar të energjisë, duke krijuar mungesë të madhe në tregun e brendshëm.” Kjo mungesë apo mosrealizim, ashtu siç është planifikuar nga vetë KEK, po i detyron furnizuesit të blejnë energjinë nga jashtë. Kostoja nga brenda është 30 euro, ndërsa nga jashtë 150 euro për MËh”, ka shkruar Muharremi, duke ofruar detaje tjera.
“Si pasojë, pamundësia e KEK-ut për të prodhuar energjinë ka detyruar KEDS-in të importojë energji me vlerë 37 milionë euro më të lartë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. KEDS po i bën presion ZRRE-së që të jetë më profesionale në parashikime, por në fakt, ZRRE-ja e ka parashikuar mirë situatën, KEK-u nuk ka gjeneruar aq sa ka planifikuar dhe i ka vendosur në pozitë të vështirë aktorët e tjerë në ekosistem”, ka vlerësuar ai.