Nuk qëndrojnë akuzat e Dick Martyt
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës ka folur rreth propozim-aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë kreun e PDK-së Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi.
Xhavit Haliti në DebatPlus të TV Dukagjini ka thënë se nuk beson se do të ketë konfirmim të aktakuzave ndaj Thaçit e Veselit, pasi që akuzat e senatorit zviceran Dick Martyt nuk qëndrojnë dhe si të tilla ato nuk do të vërtetohen kurrë nga asnjë gjykatë.
“Besoj se nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës ndaj kryetarit të PDK-së dhe as presidentit”, u shpreh ai.
Haliti ka folur edhe rreth asaj nëse është ftuar për intervistim në Hagë.
“Është çështje personale. Sa herë të më ftojnë, do të shkoj. Është obligim i çdo pjesëtari të UÇK-së që t’iu përgjigjet ftesave të speciales. Gjykata nuk është krijuar për të na pastruar me detergjent e sapunë, por pse ka pasur akuza. Nëse dikujt i është plotësuar norma për t’u dënuar, ata do të dënohen”, ka thënë ai.