Nuk respektuan ligjin e duhanit, dënohen 320 qytetarë
Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ( AUV) janë duke vazhduar inspektimet për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për duhanin.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi në një deklaratë ka thënë se deri tani kanë shqiptuar 320 gjoba.
“Në vazhdën e inspektimeve për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit të duhanit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektoratit sanitarë si trupë inspektuese për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, deri me tani janë shqiptuar rreth 320 gjoba, për persona juridik dhe fizik”, ka theksuar ai.
Thaçi ka theksuar më tej se gjobat janë shqiptuar për secilin shkelës pa dallim.
“Ne jemi duke vazhduar me kontrolle dhe toleranca do të jetë zero. Lartësia e gjobave është e përcaktuar me ligjin e duhanit LIGJI Nr. 04/L-156 dhe LIGJI NR. 08/L-040 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 04/L-156 PËR KONTROLLIN E DUHANIT. Varësisht nga shkelja dhe kategoria e personit: fizik, juridik, person përgjegjës, biznes individual etj”, është shprehur ai për Telegrafin.
Ministria e Bujqësisë kishte paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë ndaj pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.
Sipas njoftimit që kishte bërë Ministria e Bujqësisë, çdo qytetar gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.
“Zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin për Kontrollin e Duhanit”, thekson MBPZHR-ja.
Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për Duhanin, i cili ndalon 100 për qind pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura në vende publike me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.
Ligji thekson se dënimi për shkelësin fizik ose qytetarin është 50 euro, për përgjegjësin e hapësirës 500 euro dhe personin juridik apo për subjektin afarist kjo vlerë arrin në 3,000 euro.