Haradinaj, partnerëve të koalicionit: Nuk tradhtoj pa më tradhtuar
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar një deklaratë të zëvendësit të tij, Enver Hoxhaj, që vjen radhët e PDK-së, se ata e kanë të gatshëm kandidatin për pozitën e kryeministrit, Kadri Veselin.
“Kam deklaruar disa herë, kur e kam nisë punën ka pas staf që nuk e kanë kryer punën e tyre, duke thënë për mua se në Qeveri do të qëndrojë dy-tre javë. Kalkulime nuk bëjë as-sa. Temat që janë në të mirë të vendit, mundohem t’i kryej. Është legjitime që një parti të ketë kandidat për kryeministër”, ka thënë Haradinaj.
Sa i përket funksionimit të Qeverisë, Haradinaj ka thënë se nuk e tradhton askënd pa e tradhtuar atë.
“Kur shkojmë në zgjedhje nuk e di. Kushdo prej partnerëve të koalicionit do ta ndalë këtë kontratë edhe ne jemi të gatshëm. Jemi të respektueshëm për vendimet që kemi marrë. Unë i fundit e lëshoj kontratën. Nuk e tradhtoj dikë pa më tradhtuar. Sa të jemi në punë po punojmë, kur të merremi vesh shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Haradinaj.