Numër i kufizuar myslimanësh nisin Haxhin këtë vit
Pelegrinazhi vjetor i Haxhit është duke nisur të mërkurën në Arabinë Saudite, ndonëse me numër shumë më të vogël të besimtarëve myslimanë, për shkak të pandemisë me koronavirus.
Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin.
Çdo vit, më shumë se 2 milionë pelegrinë nga 180 vende të botës udhëtojnë në Mekë, në atë që zakonisht është një prej organizimeve më të mëdha fetare.
Megjithatë, këtë vit, pandemia me koronavirus ka ndryshuar mënyrën e organizimit.
Fluksi i njerëzve që vizitojnë zonat fetare gjatë pelegrinazhit ka rrezikuar përhapjen e koronavirusit në territorin saudit.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Arabia Saudite ka regjistruar më shumë se 270 000 raste të infektimit dhe 2 789 vdekje, si pasojë e koronavirusit.
Ministria për Haxh dhe Umrah e Arabisë Saudite ka thënë muajin e kaluar se vetëm “një numër i kufizuar i myslimanëve” që jetojnë në Arabinë Saudite, do të mund të jenë pjesë e organizimit.
Është raportuar se numri i besimtarëve në Haxhin e këtij viti do të jetë nga 1000 deri në 10 000.
Vendimi për të mos lejuar pelegrinë nga vendet tjera, përveç atyre në Arabinë Saudite nga kryerja e Haxhit, është i pari në historinë moderne të mbretërisë saudite.
Kulmi i ritualit të Haxhit këtë vit bie më 30 korrik, ka thënë një agjenci e lajmeve saudite.
Koha e Haxhit vendoset varësisht nga pozita e Hënës, në përputhje me kalendarin hënor islam./rel/