Numër i madh i qytetarëve protestojnë në Klinë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc

25 korrik 2023 | 12:17

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Ambientit në Klinë ka protestuar kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të Klinës.

Sipas organizatorëve banorët e Klinës dhe fshatrave përreth nga fillimi kanë kundërshtuar ashpër idenë për ndërtim të kësaj fabrike për faktin se ky ndërtim do të shkatërronte ambientin, burimet e ujit, florën dhe faunën.

Veton Rraci, kryetar i këshillit organizativ të protestës, tha se ndonëse kryetar i komunës u ka premtuar se fabrika nuk do të ndërtohet, pas shpinës së tyre ka marr vendim për dhënien e lejes, raporton “EkonomiaOnline”.

Rraci pohon se komentet e banorëve në dëgjime publike janë falsifikuar dhe si të tilla janë përdorur për t’u pajisur me dokumentacion.

Ai bëri me dije se ka takuar dhe ka marrë mbështetjen e Gazmend Muhaxherit, kryetar i Komunës se Pejës dhe Ekrem Kastratit, kryetari i Komunës së Malishevës si dhe është në pritje të takimit me kryetaret e komunave të Gjakovës, Istogut dhe Skenderajt.

Madje tha se janë shprehur të shqetësuar se ndotja mund të arrijë edhe në komunat e tyre.

“Beteja jonë është për drejtësi. Një betejë që është kundër të gjithëve, por për banorët. Ne nuk shkuam t’i ndërtojmë shtëpitë tek fabrika e çimentos, por fabrika e çimentos erdhi tek shtëpitë tona. Këto katër vite kemi trokitur në çdo shtëpi. Por ne jemi vigjilentë. Ata munduan të falsifikojnë dokumente, procesverbale të dëgjimit publik. Por ne e kundërshtuam përmes protestave në vitin e kaluar. Dhe si rezultat u pezullua leja. Por neve nuk na mjafton kjo”.

“Zëri jonë ka jehuar në çdo cep të Kosovës prandaj me mburrje e them se janë komunat përreth dhe organizatat e shoqërisë civile të cilat në mbështetje të kauzës sonë, janë shprehur të shqetësuar se ndotja mund të arrijë edhe në komunat e tyre prandaj e mbështesin kauzën tonë. Të jetosh në Klinë është nyje e jetës. Klina ka hasur në plot vështirësi”.“Kjo fabrikë është si re e zezë. Klina nuk bëhet e dikujt, pasi është e të gjithëve. Është koha e fundit të këmbëngulim. Klina dhe fshatrat e saj janë amaneti ynë. Ju falënderojmë të gjithëve së bashku dhe secilin veç e veç”, tha Rraci.

Kjo protestë u mbështetet edhe nga 10 organizata të shoqërisë civile: EcoZ, Let’s Do It Kosova, Let’s Do It Peja. Syri i Vizionit, Qytetarët Aktivë, Zana, ECOTHINK, DYVÓ, Organizata për mbrojtjen e mjedisit – Gjethi dhe Termokiss.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar edhe për dy…