
Numërohen rreth 80 për qind e votave me kusht, prin LVV-ja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është drejt përfundimit të numërimit të votave me kusht nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Sipas përditësimit të fundit në ueb-faqen e KQZ-së të mërkurën në orët e hershme, janë numëruar 78.57 për qind e votave me kusht.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 40.21 për qind, apo 2.634 vota me kusht.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 18.11 për qind, apo 1.186 vota, pastaj vijnë Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.54 për qind, apo 887 vota, Lista Serbe me 11.37 për qind, apo 745 vota, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma me 6.21 për qind, apo 407 vota.
Numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara nisi këtë të martë, në ditën kur përfundoi numërimi i votave me postë, dhe pritet të përfundojë sot, sipas zyrtarëve të KQZ-së.